Pesë milionë euro ilaçe kontrabandë nga Serbia

AktualitetKryesore
259
0
sample-ad

Rreth pesë milionë euro, për çdo vit, mendohet se është dëmi që i shkaktohet buxheti të shtetit të ri të Kosovës nga futja e ilaçeve kontrabandë prej Serbisë .

Për këtë shifër, sipas burimeve të gazetës “Zëri”, janë të njoftuara edhe Agjencia e Inteligjencës së Kosovës, por edhe Njësia Kundër Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.

Njoftimi mësohet se ishte bërë muaj më parë nga inspektorë të Agjencisë së Kosovës për Produkte Medicinale, pas të cilit njoftim institucionet kanë shtuar masat për kontrollin dhe luftimin e kontrabandës së ilaçeve.

E gjitha kishte filluar kur një shtetas turk, që ka në Kosovë një kompani të fuqishme për qarkullim ilaçesh, ishte ankuar në organet shtetërore se më nuk kishte llogari të sjellë ilaçe në rrugë zyrtare, pasi kontrabanda kishte atakuar ata që punonin në mënyrë të rregullt. Shtetasi turk, (emri i të cilit është i njohur për redaksinë) në asnjë rrethanë nuk ka pranuar të tregojë për faktet që posedon sa i përket kontrabandimit.

Por, në dy takime që ka pasur brenda disa muajsh me gazetarin e “Zërit” nuk ka hezituar të konfirmojë se ai kishte të dhëna të faktuara për qarkullim milionësh të barnave ilegale të Serbisë në Kosovë.

Marrëveshja e Brukselit mundëson kontrabandën

Siç ka mësuar gazeta, kontrabandimi i ilaçeve të Serbisë në Kosovë ndërlidhet kryesisht me linjat që funksionojnë mrekullueshëm në enklavat serbe.

Bazuar në një Marrëveshje të bërë në Bruksel gjatë negociatave Kosovë-Serbi, barnat dhe materiali sanitar përcillen pa vështirësi për nevojat e ambulancave dhe spitaleve paralele serbe.

Por, pala serbe, gjithnjë e ka keqpërdorur këtë marrëveshje dhe falë saj ka kontrabanduar në vazhdimësi ilaçe edhe për tregun privat të Kosovës.

“Ato ilaçe kryesisht nisen për serbët që jetojnë në enklava dhe përfundojnë nëpër shumë depo kosovare për t’u stërshitur”, thonë burime të gazetës.

Dy ditë më parë, gazetari i “Zërit” ka vizituar barnatoren paralele të Ambulancës në Graçanicë, e cila gjitha financat dhe furnizimet i ka nga Serbia. Në dollapët e kësaj barnatoreje, që gjendet në një shtëpi private, jo larg shkollës në këtë qytezë, janë parë vetëm ilaçe të Serbisë nga prodhuesi “Galenika”. Të njëjtat, përveç banderolave serbe, mbanin edhe ato të Kosovës.

Por, askush nuk ka pranuar të flasë lidhur me mënyrën si këto ilaçe përfundojnë në këto barnatore. Pse i kanë të vendosura nga dy palë banderola e as nëse janë kontrolluar nga AKPM-ja?

Doganat e Kosovës e kanë kapur në flagrancë, në maj të këtij viti, një autoambulancë të Spitalit regjional të veriut të Mitrovicës, duke kontrabanduar ilaçe të Serbisë në territorin e Kosovës.

Kur nga shoferi i autoambulancës, Zdravko Milutinovic, doganierët kishin kërkuar të deklarojë nëse kishte ndonjë ngarkesë, ai kishte mohuar një gjë të tillë. Doganierët, bazuar në informatat paraprake të Agjencisë Inteligjente dhe Policisë së Krimeve Ekonomike, kishin kërkuar që autoambulancës t’i bëhej një kontroll, nga i cili rezultoi se shoferi po kontrabandonte ilaçe.

Gjatë kontrollit në brendi të autoambulancës me targa “KM 007 WH”, doganierët kanë gjetur ilaçe dhe material medicinal, që nuk tejkalonte vlerën prej nëntë mijë eurosh. Por, për këto ilaçe shoferi nuk kishte asnjë dokumentacion përkatës. Si të tilla, ato janë konfiskuar.

Mes ilaçeve të konfiskuara nga Dogana kishte edhe albumina, që janë produkte të cilat derivojnë nga gjaku human dhe nëse ato nuk kontrollohen nga Agjencia e Ilaçeve, paraqesin rrezik permanent për përdorim.

“Të njëjtat mund të bartin viruse si HIV apo hepatiti e që pasojat e këtyre sëmundjeve mund të dihen pas disa vjetësh në popullatë”, kanë thënë burime të gazetës.

Pas konfiskimit të këtyre ilaçeve, i pari ka reaguar Milan Ivanoviq, drejtor i Spitalit të veriut të Mitrovicës, i cili kërkonte që barnat t’i kthehen Qendrës Spitalore në veri të Kosovës, që ky rast të mos shkaktonte “katastrofë humanitare”.

Ai, madje, kishte akuzuar palën kosovare se nuk po respektonte Marrëveshjen e Brukselit. “Beogradi ka marrë zotimin se me Marrëveshjen e Brukselit barnat dhe materiali sanitar përcillen pa vështirësi.

Prishtina këtë Marrëveshje nuk po e respekton”, ka thënë Ivanoviq. Edhe një aksion tjetër i madh për goditjen e kontrabandës së ilaçeve ishte marrë në Pejë nga Policia e Kosovës për Krime Ekonomike dhe Doganat.

Mediet zbuluan regjistrimin ilegal të ilaçeve

Në kompaninë “Peja Med”, në Pejë, sipas burimeve të gazetës “Zëri” ishin konfiskuar më shumë se 200 mijë euro ilaçe, gjatë një kontrolli të rreptë në këtë kompani.

Ndonëse kishte kryesisht ilaçe të Italisë dhe të Greqisë të futura në vend si kontrabandë, aty nuk mungonin as ilaçet e Serbisë.

Ndërkohë, para më shumë se dy vjetësh, Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale ka bllokuar importin dhe regjistrimin e të gjitha ilaçeve të Serbisë në Kosovë, pasi një raport hulumtues gazetaresk i bërë nga BIRN-i dhe i publikuar për herë të parë në “Zëri”, pati zbuluar se certifikatat për kualitetin e produkteve medicinave, me të cilat ishin regjistruar ilaçet serbe në Kosovë, ishin të falsifikuara.

Pas kësaj edhe Interpoli ishte përfshirë në hetimin e certifikatave të ashtuquajtura CPP, të sjella në Kosovë si dëshmi për regjistrim të ilaçeve.

Edhe atëherë rezultoi se ato certifikata ishin të falsifikuara. Megjithatë, kjo nuk e ka ndalur edhe qarkullimin e ilaçeve në Kosovë, falë edhe numrit të vogël të inspektorëve të Agjencisë së Kosovë për Produkte Medicinale (AKPM). Inspektorati Farmaceutik në AKPM ka gjithsej 10 inspektorë.

Numri i vogël i inspektorëve, siç thotë kryeshefi i AKPM-së, Arianit Jakupi, është edhe një pengesë për realizimin e aktiviteteve në terren. Ai ka thënë se për luftimin e kontrabandës, nevojitet një angazhim ndërinstitucional.

Ndërkohë, në Kosovë janë 530 barnatore të licencuara dhe janë rreth 170 qarkullues me shumicë. Shitja e barnave të paregjistruara përbën vepër penale, derisa Inspektorati i AKPM-së me Ligjin e Ri për Produkte dhe Pajisje Medicinale është kufizuar në gjoba për shkelësit e ligjit.

Kështu, maksimumi i ndëshkimeve, siç ka konfirmuar për “Zërin”, kryeshefi Jakupi, mund të jetë deri në 1000 euro për subjektin.

Për shkelje më të rënda se ato që mund të vendosë gjobat Inspektorati, sipas Jakupit, rastet duhet të dërgohen në gjykata. Jakupi gjithashtu ka thënë se AKPM-ja ka angazhuar përmbarues privatë për t’i detyruar subjektet që të paguajnë gjobat.                                                                                                           Alban Selimi

Facebook Comments

POST A COMMENT.

nine − 7 =