Dimensioni politik i ndeshjes Sërbi-Shqipëri

AnalizeOpinion
238
0
sample-ad

[vc_row][vc_column width=”1/1″][/vc_column][/vc_row][vc_row][vc_column width=”1/1″][vc_single_image image=”2938″ border_color=”grey” img_link_target=”_self” img_size=”full”][/vc_column][/vc_row][vc_row][vc_column width=”1/1″][vc_column_text]Nga: Arbër ZAIMI

Ndeshja Serbi-Shqipëri, edhe pse eveniment sportiv, e ka një dimension politik të pashmangshëm, siç e ka në fakt çdo eveniment sportiv. Përpjekja për ta paraqitur futbollin si aktivitet tërësisht spektakolar dhe biznesor është një përpjekje idiote, pjesë e luftës për depolitizim që ndërmerret tash e sa kohë prej elitave “liberale”. Ta zhveshim ekonominë nga politika, ta zhveshim drejtësinë nga politika, ta zhveshim artin nga politika, ta zhveshim kulturën nga politika, ta zhveshim sportin nga politika, ta zhveshim njerëzillëkun (humanizmin) nga politika. Me një fjalë, ta zhveshim qenien njerëzore nga politika. Por po ta shikojmë politikën kësisoj, si diçka që duhet përbuzur, si një rrobë e vjetër prej së cilës duhet ta zhveshim njeriun, ky i fundit, i përkufizuar nga një filozof i shumabuzuar si “kafshë politike” del se na mbetet veç kafshë.

Në fakt, arsyeja pse pamë aq shumë kafshëri në stadiumin “Partizan” të Beogradit, është pikërisht te mënyra apolitike me të cilën fuqitë botërore shpesh i janë qasur Serbisë e rajonit në tërësi. Kjo mënyrë apolitike është brendësuar shpesh edhe te vetë ne, që e quajmë veten ballkanas, duke përdorur një etiketë irracionale e pa domethënie thjesht pse e kemi dëgjuar kaq shpesh të na thuhet prej Tjetrit tonë të Madh, Europës.

Është këtu rasti të pohojmë se ballkanikja nuk ekziston. Po ashtu nuk ekzistojnë nacionalizmi ballkanik, kulturalizmi ballkanik, kultura ballkanike, mendësia ballkanike, gjaknxehtësia ballkanike, humori ballkanik. Këto etiketa përgjithësuese janë thjesht paternalizuese dhe patronizuese prej një Europe që dështon të shohë se në fakt Ballkani është pikë për pikë Europë, dhe s’ka lënë gjë pa mësuar prej mësueses së saj, edhe pse shpesh thuhet se “nuk janë bërë detyrat e shtëpisë”.

Duke përmendur etiketën “ballkanike”, Perëndimi legjitimon superioritetin e vet si fenomen kontingjent identitar, duke refuzuar të shohë se superioriteti është thjesht i bazuar në ngjarje historike apo ekonomike që kanë lejuar akumulimin e pushtetit diku, duke lënë pa pushtet dikë tjetër. Duke përdorur etiketën “ballkanike” vetë ballkanasit fshihen pas gishtit, përgjithësojnë fajet e tyre, dhe nuk marrin kurrë përsipër përgjegjësi vetë, siç nuk i japin kurrë përgjegjësi as Europës.

Edhe pas ndeshjes Serbi-Shqipëri u fol për “nacionalizmat ballkanikë” e gjëra të tilla. Le të vëmë re me kujdes se si “nacionalizmat ballkanikë” përmbajnë nacionalizmin shqiptar, kroat, boshnjak, maqedonas, grek, bullgar, serb e rumun. Etiketa përgjithësuese nënkupton se, pavarësisht pekuliariteteve, ka diçka të përbashkët në këta nacionalizma, që Perëndimi e ka tejkaluar, por Ballkani jo.

Çfarë ka tejkaluar Perëndimi? Në Perëndim pretendohet se është mbërritur që nacionalizmi të dekafeinohet e të kthehet në një “nacionalizëm banal”, thjesht nderim i simboleve kombëtare, një farë krenarie e përmbajtur, i zhveshur nga pasionet. Por, rezultatet e zgjedhjeve të fundit nëpër Europë nuk tregojnë këtë gjë, me daljen në skenë masivisht të partive të së djathtës ekstreme. Ndërkohë, videot që rrjedhin prej intimiteteve të ushtrive të qytetëruara në ambientet ku ata janë stacionuar për të eksportuar demokracinë tregojnë se nacionalizmi perëndimor nuk është aspak i larë e i lustruar nga racizmi. Përkundrazi.

Për më tepër, etiketa përgjithësuese “nacionalist” nuk mbërrin të vërë në dukje dallimin e rëndësishëm mes nacionalçlirimtarit, nacionalistit shoven dhe nacionalimperialistit. Ky barazim i nënkuptuar bëhet gjithnjë në dëm të të shtypurve, ndërkohë që normalizon shtypësit. Por duhet thënë se të tilla përdorime e kanë një traditë. P.sh., në konfliktin për çlirimin e Algjerisë gjithnjë flitej për nacionalistë algjerianë, por kurrë për nacionalistë francezë. Në konfliktin për çlirimin e Irlandës gjithnjë flitej për nacionalistët irlandezë, por kurrë për nacionalistë anglezë. Edhe sot, në Britaninë e Madhe, ndërkohë që flitet për nacionalizma skocezë, uellsianë, deri edhe kornuellsianë, rrallë, shumë rrallë dëgjon të shkruhet për nacionalizmin anglez. Në Spanjë flitet për nacionalistë katalanë e baskë, por jo për nacionalistët spanjollë që s’i lënë të shkëputen. Në ish-Jugosllavi etiketën e nacionalizmit ua kanë ngjitur gjithë kohës kroatëve, boshnjakëve e shqiptarëve. Serbët, si popull sundues, e kanë maskuar nacionalizmin e tyre me ideologjinë formalisht socialiste, duke mashtruar kështu masa të mëdha të së majtës botërore, të cilat në momente historike u renditën krah Millosheviçit, pikërisht sepse refuzuan të shihnin tej etiketave të ngjitura shpejt e shpejt nga mjeshtrit e propagandës.

Etiketën e “nacionalizmit ballkanik” jemi të detyruar ta zbërthejmë edhe tani, për ta flakur tutje si të panevojshme, madje të dëmshme. Po, ka nacionalizëm kroat, shqiptar e boshnjak, por nuk ka “naçertanje” të dalë prej këtyre popujve. Jo vetëm që nuk ka projekte të tilla, por nuk ka as akte agresioni. Nuk kanë shkuar këta popuj, në emër të nacionalizmit të tyre, të spastrojnë ndonjë pjesë të Serbisë, siç ka bërë Serbia disa herë vetëm në shekullin e fundit. Pra barazimi i nacionalizmave në fjalë me nacionalizmin serb nuk i qëndron historisë.

Për analogji, është njësoj si të barazosh nacionalizmat polakë e francezë me nacionalizmin gjerman në Luftën e Dytë. A mundet dikush sot, që i ka dy pare mend në kokë, të pohojë se për Luftën e Dytë Botërore fajin e patën nacionalizmat e vendeve të Europës në përgjithësi? Po, kishte nacionalizëm polak, çek, francez, por ai gjerman ishte “tjetër gjë” … Faktet e provojnë këtë dallim thelbësor.

Nacionalizmi serb i tejkalon rrekjet përgjithësuese. Ai është “tjetër gjë”, goxha i ngjashëm me nacionalizmin gjerman të Luftës së Dytë Botërore. Ta shpërndash fajin edhe te viktimat e tij s’bën gjë tjetër veçse e forcon atë lloj nacionalizmi.

Si t’ia bëjmë me fashizmin?

Lufta e Parë Botërore është quajtur, naivisht duhet thënë, nga publicistë e politikanë të asaj kohe si një “luftë që do t’i jepte fund çdo lufte”. Shprehja e ka origjinën te publicistë britanikë, të cilët duke riprodhuar ideologjinë e vet nacionalimperiale e vinin fajin për luftën te militarizmi ekspansionist gjerman dhe te “natyra” e vendeve europiano-qendrore. Kur flitej për “dhënien fund çdo lufte” kuptohet, bëhej fjalë vetëm për luftërat mes fuqive të mëdha.

Pas Luftës së Parë, fitimtarët u mblodhën në Konferencën e Paqes në Paris, ku u përgatitën pesë traktate që ndanë “plaçkën e luftës” apo kufijtë e botës së re. Rezultatin e Konferencës së Paqes e përshkruan më së miri batuta monumentale e feldmarshallit britanik Earl Wavell: “Pasi bënë luftën që do i jepte fund çdo lufte, u mblodhën të bëjnë paqen që do i japë fund çdo paqeje”. Cinizëm i qëlluar. Se ç’paqe pruri ajo konferencë u dallua në Luftën e Dytë, por jo vetëm aty. Vazhdon të dallohet në Lindjen e Mesme e në Ballkan, ku kufijtë e vendosura asokohe kanë sanksionuar padrejtësi dhe pabarazi mes kombesh që ende sot vijojnë të shpërthejnë ndaj njëri-tjetrit.

Ndëshkimi i Gjermanisë, si luftënxitëse e Luftës së Parë, përfshiu sanksione të ndryshme e shkëputje territoresh. Por askush nuk u mor me popullin gjerman. Politika botërore ende s’e kish kuptuar se kishte ardhur një shekull i ri, një shekull kur popujt, masat, kishin hyrë në skenën e historisë dhe të politikës për të mos dalë më prej aty. Prej shekullit XX e këndej, çdo pretendim për të bërë politikë, pavarësisht popullit apo duke lënë mënjanë popullin, ka rezultuar tërësisht dështak.

Populli gjerman e përjetoi pasluftën duke thelluar komplekset, e duke ndier se i ishte bërë një padrejtësi e madhe. Këto komplekse krijuan kushtet e ardhjes në pushtet të nazizmit, me në krye Hitlerin. Këto komplekse, kjo ndjenjë antidrejtësi e një populli të tërë, polli një nga krimet më të mëdha të njerëzimit, holokaustin.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fituesit e kishin të qartë se krime të tilla nuk mund të bëheshin thjesht pse dëshiron elita. Nuk mund të vriteshin dhjetëra milionë njerëz pa konsensusin e gjerë, madje entuziazmin popullor. Një nga karakteristikat e vendeve të qeverisura nga fashizmi është pikërisht ideologjizimi deri në qelizë i popullit me këtë ideologji të mbrapshtë. Gjermanët gjatë luftës kanë qenë masivisht të bindur se kishin të drejtë. Ky është efekti i ideologjisë!

Karl Jasper, duke filozofuar mbi Luftën e Dytë Botërore dhe mbi fajin, evidentoi katër lloje të fajit. Së pari, faji kriminal, thyerja e ligjit, e cila vërtetohet prej provave e dëshmive. Së dyti, është faji politik, i një lideri që duke gabuar implikon në faj edhe popullin e vet. Së treti, është faji moral, p.sh. ai i vartësit që merr një urdhër të gabuar prej eprorit. Nëse e zbaton do të jetë ligjërisht i pafajshëm, por moralisht i fajshëm, nëse nuk e zbaton do të jetë ligjërisht fajtor por moralisht i pastër. Së katërti, është faji metafizik. Ky i fundit nënkupton se ekziston një frymë e respektit dhe solidaritetit ndaj qenies njerëzore, përtej çdo dallimi. Përdhosja masive e kësaj fryme, në rastet e spastrimeve e krimeve të përmasave të atyre që prodhon nazizmi, e bën fajin faj të një populli të tërë.

Gjermanët pas Luftës së Dytë u konsideruan fajtorë në frymën e tyre si popull, jo thjesht si individë, si klasë politike apo si burokraci. Si pasojë, nuk u përsërit gabimi i Konferencës së Paqes në Paris. Kësaj radhe, fituesit e kishin mësuar mësimin. Ata nisën një proces të gjatë denazifikimi. Gjermania u nda, iu ndalua ushtria dhe institucionet edukuese e mediatike u vendosën nën kontroll e censurë që assesi të mos riprodhohej fryma e cila duhej çrrënjosur. Territore të gjera ku më parë kishin bashkëjetuar gjermanët me popujt e tjerë, në Poloni e në Europën Lindore, u zbrazën gradualisht prej tyre. Sepse ishte e kuptueshme që pas krimeve të asaj përmase, bashkëjetesa e xhelatit me viktimën ishte e pamundur.

“Ilaçi” që fituesit përdorën kundër fashizmit qëlloi i suksesshëm. Asnjë prej ish-nazistëve nuk u përfshi më në politikë a në ushtri. Nyrembergu i dënoi me vdekje fajtorët kryesorë, pa iu nënshtruar dilemave humaniste të “shpirtrave të bukur”. Aq i suksesshëm rezultoi ky “ilaç” sa që në 70 vitet pasuese kudo në Europë u shfaqën forca neofashiste, madje fituan edhe mbështetje politike, por në Gjermani ato gjithnjë mbetën margjinale.

Kozmopolitët, si Miss Universi, ëndërrojnë paqen në botë. Gëzohen kur shohin Thaçin që shtrëngon dorën me Daçiçin, kur shohin Mis Kosovën që bën selfie me Mis Serbinë, kur shohin lojtarët e Lazios që përqafohen, apo kur shohin Ramën që do shkojë te Vuçiçi. A thua se problemi i vërtetë qëndron te milionerët që s’po i shtrëngojnë dot dorën njëri-tjetrit. Por kur këta milionerë paqedashës iu bashkëngjitën Armand Dukës për të shkuar në Beograd e për të shijuar atë që popullit të thjeshtë iu ndalua, u përballën me popullin e thjeshtë serb.

Paqja postmillosheviçiane në Ballkan i përngjan paqes së vënë pas Luftës së Parë Botërore. Ajo është një paqe pa drejtësi. Llogariteni vetë, qindra mijë të vrarë në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Sikur një serb të ketë vrarë mesatarisht dhjetë veta e të ketë dhunuar po aq, i bie që të jenë ende vërdallë mbi 30.000 autorë të këtyre krimeve, ish-ushtarakë e ish-paramilitarë. Nëse ata e kanë pasur dhe e kanë supozojmë thjesht mbështetjen minimale të familjes së tyre të ngushtë e të ndonjë shoku, pra të paktën të 5 personave, kjo shton edhe një aradhë prej 150.000 “auksiliarësh” që janë nëpër popull, shoqëri civile, administratë.

Kjo shpjegon thirrjet shfarosëse dhe vrasëse në stadiumin e Beogradit. Ndeshja mund të mos ishte bërë fare. Por urrejtja mbetet aty, e përhapur gjerë në popullin serb, të ideologjizuar me frymën e fashizmit. Nuk do të mundej Millosheviçi të bënte atë që bëri pa përkrahjen e popullit të vet. Dhe e vetmja zgjidhje që mund të sugjerohet, është e ngjashme me atë që u bë pas mposhtjes së nazizmit në Gjermani. Urrejtja dhe fashizmi që mbetet në fuqi në Serbi (imagjinoni sikur Goebelsi të bëhej kryeministër i Gjermanisë në 1960…), përbëjnë rrezik të vazhdueshëm për rajonin e sidomos për shqiptarët. Sugjerimet e kozmopolitëve liberalë se do të ishte mirë të mos luhej hiç futboll tani për tani, mes Serbisë dhe Shqipërisë, ngjajnë njësoj me pretendimet se nazizmi do të ishte shmangur po të mos lexohej Heideggeri e po të mos dëgjohej Wagneri.

Kozmopolitët liberalë

Dikush i barazon thirrjet fashiste me koret ofenduese seksuale të shqiptarëve. Por të tilla sharje ka kudo, thuajse në çdo eveniment sportiv nëpër botë. Të tilla sharje i përdorin amerikanë e anglezë, francezë e kinezë. Si çdo popull, edhe shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin mes therjes dhe seksit. Por, nuk brohorasin për therje. Sepse s’janë fashistë, siç nuk janë as njerëzit normalë anembanë globit. Dikush thotë se ne duhet të zgjidhim fillimisht problemet tona, korrupsionin, krimin, varfërinë, problemet me nacionalizmin tonë. Po, është e vërtetë, edhe shqiptarët kanë nacionalizëm herë të dënueshëm e herë jo. Ka nacionalistë të djathtë shqiptarë (shikoni p.sh. rezultatin elektoral të Kreshnik Spahiut). Ka dhe nacionalçlirimtarë të majtë, si Vetëvendosje, që këmbëngul se në asnjë mënyrë problemet nuk zgjidhen duke urryer popullin serb, por duke i dhënë hakun qeverisë serbe. Por nacionalistë ka kudo nëpër botë. A duhet që të jemi popull pa nacionalistë që të mos u japim atyre shans të na therin? A duhet të jemi popull engjëllor, pa korrupsion e pa pikë padrejtësie që të mos na urrejnë?

Në Luftën e Dytë Botërore ata që s’e honepsnin dot nazizmin kishin përpara dy mundësi. Ta luftonin, ose të arratiseshin. Muaj më parë, në një shkrim në New York Review of Books kjo dikotomi paraqitet në kontrastin mes dy shkrimtarëve të mëdhenj gjermanë, Stefan Zweig dhe Thomas Mann. I pari vizualizon më së miri logjikën e kozmopolitit liberal. Ai e pranon si të mirëqenë pretendimin nazist se hebrenjtë ishin popull “pa rrënjë”, e si i tillë vetëm arratiset. Refuzon t’iu kundërvihet, madje dhe në SHBA ka frikë të shprehet haptazi kundër tyre. I urren, por njëkohësisht urren çdo lloj dhune të domosdoshme për t’iu kundërvënë nazizmit. Ndryshe nga ai, Thomas Mann jo vetëm që përfshihet aktivisht në antifashizëm e burgoset, por edhe kur arratiset deklaron nga Nju Jorku, “kudo që jam unë është Gjermania… unë e mbaj kulturën gjermane me vete… unë nuk jam mposhtur”. Mann u bë zëri i artistëve të përndjekur, zëri i rezistencës. Zweig heshti, ruajti modestinë e distancën nga politika edhe në ato momente.

Fundi i Zweig-ut ishte tragjik. Jetën e mbërthyer nga frika e nazizmit ai e mbaroi duke vrarë veten në Brazil, pasi u arratis edhe nga Amerika nga frika se mos Hitleri e pushtonte edhe atë. Por, vepra e tij mbetet e vlerësueshme dhe ai padyshim është një prej shkrimtarëve të mëdhenj të Gjermanisë. I tillë kozmopolit i mbërthyer nga frika ishte dhe filozofi Walter Benjamin, një prej figurave që vlerësoj më shumë prej filozofisë gjermane të shek. XX. Edhe ai vrau veten në Spanjë, i trembur se mos e dorëzonin te fashistët ndërkohë që tentonte të arratisej për në SHBA. Por, pavarësisht respektit për personalitetet dhe për veprën që i tejkalon ato personalitete, është me rëndësi të thuhet se e vetmja mënyrë e drejtë për t’iu kundërvënë nazizmit është duke e luftuar atë. Duke e luftuar siç bëri Thomas Manni, duke e pretenduar pandalur autoktoninë, qofsha hebre, polak, shqiptar, palestinez, kurd, afro-amerikan apo gjerman, e duke rezistuar shpirtërisht e territorialisht.

Kozmopolitë si Zweig-u ka edhe sot. Me gjithë respektin për veprën e tyre, duket se s’janë veç shpirtra qëllimmira (oh Lord please don’t let them be misunderstood). Por internacionalistët e vërtetë e refuzojnë këtë lloj kozmopolitizmi arratisës, vetëdistancues, pasivist. Internacionalistët e vërtetë luftojnë për barazi mes kombeve, e nuk zhgënjehen prej padrejtësive por luftojnë që t’i ndreqin ato. Internacionalistët janë gjithnjë identikë me nacional-çlirimtarët. Të tilla kanë qenë lëvizjet për çlirim të shqiptarëve historikisht, edhe pse propaganda serbe vazhdimisht i ka ngjitur atyre etiketa nga më të ndryshmet.

Le ta përmbyllim shkrimin duke përmendur edhe faktin historik se shqiptarët e akuzuar si shovenë, jo vetëm që s’e kanë sulmuar ndonjëherë Serbinë, por janë i vetmi popull që e ka dërguar ushtrinë e vet nacionalçlirimtare në Luftën e Dytë Botërore që të ndihmojë në çlirimin e Serbisë. Pavarësisht kësaj, Serbia u përgjigj me mosmirënjohje, duke anuluar Konferencën e Bujanit dhe duke shtypur të drejtën e shqiptarëve të Jugosllavisë për Vetëvendosje. Kësisoj ajo harta, që sot akuzohet si hartë e Shqipërisë së Madhe, në fakt u shndërrua në hartën e spastrimeve më gjakësore të shek. XX. Ajo hartë rrëfen vendet ku si autoktonë jemi përballur me fashizma të mëdha, që spastruan çamët, që spastruan Toplicën, Kurshumlinë, Jagodinën, Nishin, Vranjën, që spastruan territore të gjera në Maqedoninë e sotme (siç tregohet nga të dhëna të gjera edhe nga studiues serbë). Prandaj urrehet masivisht, se është dëshmi e një krimi masiv.

*Titulli është i redaksisë së “shtypi.net”.

[/vc_column_text][/vc_column][/vc_row]

Facebook Comments

POST A COMMENT.

5 × one =