UEFA duhej të ishte më e sinqertë

KomentOpinion
478
0
sample-ad

Nga: Dorian KOÇI

Vendimi më i fundit i UEFA-s për t’i dhënë fitore në tavolinë Serbisë 3-0 por edhe për t’i hequr tre pikë në renditje, ngjan më tepër një vendim për t’i shërbyer interesave të politikës sesa sportit. Nuk është hera e parë kur ngjarje të tilla sportive, si organizmi i një ndeshjeje, i paraprijnë politikave të afrimit mes popujve. Nëse edhe hedhja e shortit ka qenë një gjë e tillë, të paktën UEFA duhet të ishte më e sinqertë dhe të kish deklaruar më parë se po bëhej nëpërmjet shortit të vet, një urë komunikimi në një konflikt. Në këtë rast, paragjykimet do të ishin më të pakta, pasi fundi fundit në politikën e ngurtë ballkanike nuk gjendet aq kollaj tuneli i dritës, por kur vendos të sillet si një organizatë sportive ndërkombëtare dhe vendimin e jep si organizatë politike, duhet ta kuptojë dhe të mbajë dhe koston morale të këtyre vendimeve. Racizmi dhe dhuna janë dy të këqijat më të mëdha të futbollit, dhe ato nuk mund të barazohen me mosdaljen e kombëtares shqiptare në një fushë të nxehtë që bërtiste “Vritini shqiptarët”. Meqenëse nga vendimi i marrë duket qartë që ka ndikuar sërish politika për të bërë kinse një baraspeshë midis serbëve dhe shqiptarëve në rajon, UEFA duhet ta kuptojë se ka zhgënjyer gjithandej sportdashësit e vërtetë. Nuk ka dyshim që ky vendim do të apelohet nga FSHF dhe kjo sigurisht që është një çështje sportive për të vënë në vend edhe dinjitetin tonë të cenuar. Mirëpo përtej sportit dhe futbollit meqenëse UEFA e gjykoi çështjen si organizatë politike është koha besoj se dhe Shqipëria duhet të fillojë të rishikojë politikat e veta me fqinjët në rajon.

Politika e jashtme shqiptare mund të fillojë të jetë më realiste për sa u përket marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe në bashkëpunim me miqtë dhe forumet ndërkombëtare të fillojë një fushatë parandalimi ndaj një simpatie të heshtur që ndihet ndaj Serbisë nëpër qarqe të ndryshme europiane. Ngjarjet e fundit në Beograd dhe retorika nacionaliste që pasoi ato, treguan se baruti ballkanik ende nuk është konservuar dhe ruajtur për t’u ekspozuar në muze, por në të kundërt mund të shpërthejë sërish në histori të dhimbshme konflikti. Një ndeshje futbolli shërbeu si katalizator për të treguar jo vetëm alteregon e fshehur të rajonit, por edhe dështimin afatgjatë të një sërë organizmash europianë për të promovuar vlerat e dialogut dhe fqinjësisë së mirë në Ballkan. Në këto organizma, për një kohë shumë të gjatë, janë përfshirë organizata dhe njerëz publikë që me deklaratat e tyre janë munduar të promovojnë një klimë tjetër në marrëdhëniet midis dy vendeve, por për të qenë të sinqertë dhe afër së vërtetës duhet pranuar se elita e lodhur e fillimit të viteve ’90 nuk mund ta çonte përpara këtë proces. Marrëdhëniet shqiptaro-serbe nuk mund të shikohen vetëm në lupën e përkthimeve të librave artistikë apo editorialeve gjysmëseriozë që shprehin gjendjen emocionale të autorëve sa herë kanë vizituar Serbinë, por kërkon një tomos të mirëfilltë studimor të bazuar në korpusin e shkencave politike, historisë, gjeostrategjisë dhe ekonomisë. Prej nga këndej edhe informacioni që është shkëmbyer për të njohur më mirë njëri-tjetrin apo qarkullimi i ideve ka qenë shumë i ngadaltë dhe ndonjëherë nuk ka arritur nivelet që kërkojnë zgjidhja e konflikteve të tilla. Sfidat për politikën e jashtme shqiptare dhe për organizatat ndërkombëtare që merren me promovimin e paqes dhe sigurisë në rajon janë më të mëdha se kaq!

Në paraskenat e diplomacisë europiane ndihet një simpati e heshtur për Serbinë e konkretizuar në politikën e ashtuquajtur të “shkopit dhe karotës”, e cila synon integrimin e Serbisë brenda strukturave europiane, pa i dhënë rëndësinë e duhur katarsisit nga ana e Serbisë, që me fjalë të tjera do të thotë se Serbia pa e dënuar politikën e saj të vjetër, e cila për fat të keq vazhdon të mbetet dhe e re, mund të integrohet në Bashkimin Europian, me qëllim që të inkurajohen forcat demokratike në Serbi!

Ekzistenca e forcave demokratike në Serbi është një rebus më vete, madje as më entuziastët e intregistëve europianë nuk mund t’i zbulojnë lehtë, pasi pothuajse të gjitha forcat politike serbe, jo vetëm që nuk ndihen fajtorë për politikat e shkuara, por kërkojnë të mbajnë me thonj e dhëmbë çdo përfitim që kanë fituar në emër të tyre. Në këtë kontekst, rehabilitimi i Serbisë, duke i afruar anëtarësi të shpejtë në institucionet ndërkombëtare si Bashkimi Europian dhe NATO mund të japë një shembull të keq në rajon, sesa më ashpër dhe keq mund të sillesh në arenën rajonale, po kaq shpejt mund të fitosh predispozitat e standardeve, për të cilat vende të tjera janë përpjekur shumë për t’i arritur.

“Mosdënimi i krimit çon në përsëritjen e tij”. Kjo është një sentencë e njohur që mund të nxjerrësh nga bota shekspiriane e tragjedive të mëdha, e cila jep shembuj të shumtë sesi njerëz e madje dhe shtete degjenerojnë në kasaphana të vërteta kur krimi fshihet dhe nuk dënohet. Asnjë kërkim faljeje, asnjë distancim nga e kaluara deri tani nuk kemi dëgjuar nga klasa politike serbe, akoma më keq kemi dëgjuar deklarime ultranacionaliste se “bombardimet ndaj Serbisë kanë qenë një gabim i madh dhe se Europa nuk duhej të ngatërrohej për shkakun e dy milionë shqiptarëve” apo si ato që dëgjuam në stadiumin e Beogradit “Vdekje shqiptarëve”. Akoma ka të humbur që nuk u dihet nami e nishani, akoma ka familje të viktimave të cilat nuk kanë dëgjuar një falje publike nga ata të cilët jo më pak se 15 vjet më parë ushtruan një gjenocid të pashembullt në zemër të Europës. Serbia nuk ndihmohet aspak duke i falur asaj të kaluarën e afërt, por dhe të renë e sotme, e cila, në shumë aspekte reflekton të vjetrën.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

8 + eleven =