Partnerët amerikanët zbulojnë bëmat e Damir Fazlliçit në Shqipëri

AktualitetKryesore
323
0
sample-ad

Një milion dollar investim për PD-në, në prag të zgjedhjeve vendore, kontrata e falsifikuar e “Albtelekom”-i, themelimi i tre kompanive në Shqipëri dhe menaxhimi i tyre prej kunatit të Lulzimi Bashës, miqësia me Sali Berishën etj…

Biznesmeni i dyshimtë boshnjak Damir Fazlliç, një sekser me miq të fuqishëm në Uashington DC dhe në Ballkan, kërkoi njw milionë dollarë investim për Partinë Demokratike të Shqipërisë, në mënyrë që të siguronte një kontratë fitimprurëse në telekomunikacion, aludon ish partneri i tij në biznes nga SHBA. Dy biznesmenë amerikanë që nisën një sipërmarrje të përbashkët me britaniko-boshnjakun Damir Fazlliç pretendojnë se ata i dhanë atij një milionë dollarë për t’ia kaluar ato Partisë Demokratike të Shqipërisë në këmbim, thonë ata, të miratimit të marrëveshjes nga ana e qeverisë.

Ndërsa Shqipëria përgatitej  për të hapur tregun e vet të bisedave telefonike përmes internetit, “Voice over Internet Protocol” (VoIP), në vitin 2006, Fazlliç dhe partnerët e tij amerikanë sakaq kishin krijuar “Meridian Telecommunications”, dhe po përgatiteshin të përfitonin avantazh të gjerë duke qenë firma e parë që ofronte këtë shërbim në bashkëpunim me kompaninë shtetërore “Albtelecom”.

Procesverbali

Kompania “Meridian..”, me bazë në Indiana, SHBA, sipas dokumenteve të mbajtura nga Komisioni Federal i Komunikimit (FCC), organi shtetëror amerikan përgjegjës për rregullimin e kompanive të telekomit që vepronjnë jashtë vendit, është në bashkëpronësi të Fazlliç, i cili zotëron 50 për qind të aksioneve, dhe amerikanëve  Tim Ginn dhe Tony Altavilla. Kompania po shpresonte të realizonte së paku 3 milionë dollarë fitime vetëm gjatë vitit 2007, tregojnë dokumentet e kompanisë, por kishte vetëm një problem. Partnerët amerikanë duhej të bënin dy “pagesa për investim” prej 500 mijë dollarë secila për Partinë Demokratike në pushtet para 15 dhjetorit 2006, për të arritur marrëveshjen. Kunati i kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, tërhoqi 56 mijë euro nga një kompani nën pronësinë e biznesmenit të dyshimtë boshnjak, Damir Fazlliç, zbulohet nga dokumente bankare..

Investigimi

Fazlliç, një njeri i lidhur ngushtë me kryeministrin shqiptar të kohës, Sali Berisha, i tha partnerëve të tij amerikanë se këto para nevojiteshin për të bërë pagesën duke qenë se “megjithëse kryeministri aktual i ka edhe tre vite të tjera mandat, ne kemi nevojë për njerëzit e duhur në qeverisjen vendore për të fituar. Kjo ndihmon këtë kauzë para fundit të vitit zgjedhor,” sipas procesverbalit të takimit të mbajtur nga “Meridian…”, në shtator 2006 dhe të lexuara nga “BIRN”.

“Ai (Fazlliçi) tha se gjithçka që duhet të bëjmë është të investojmë një milionë dollarë për të blerë politikanët atje për shkak se në këtë kohë, ma ha mendja mua, po ndodhin zgjedhjet vendore. Ai pretendoi se ne duhet të mbushim arkat e partisë fituese në mënyrë që ne, në fakt, të kishim arkën tonë (të telekomit) të mbushur. Kështu, Tim dhe unë dhamë atë një milion dollarësh,” pretendon Altavilla. Fazlliç mohoi prerazi pretendimet se ai ia kaloi paratë Partisë Demokratike, ndërsa kjo e fundit refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të “BIRN”.

Një milionë USD në llogaritë personale të Fazlliçit 

Ginn and Altavilla pretendojnë që transferuan një milion dollarë në llogari personale të Fazllic në bankën “HSBC” në SHBA dhe parajsën fiskale britanike të ishullit, Jersey. Ginn dhe Altavilla i thanë “BIRN” në intervista të veçanta se ata morën bashkarisht një kredi një milionë dollarëshe dhe i’a transferuan paratë Fazlliçit në llogaritë e tij personale në bankën “HSBC” në SHBA, si dhe në ishullin e Xhersit, parajsë fiskale britanike. As “BIRN” dhe as partnerët amerikanë të biznesit nuk kanë qenë në gjendje të konfirmojnë nëse paratë u dërguan më pas te Partia Demokratike dhe megjithëse Fazlliç pranoi se disa “investime” u kryen, ai refuzoi të japë ndonjë detaj se si u shpenzuan këto para dhe mohon prerazi të ketë premtuar se do t’i çonte fondet te partia në këmbim të miratimit të marrëveshjes.

Gjithsesi, sipas një emaili të Fazlliçit të lexuar nga “BIRN”, marrëveshja mes “Meridian…” dhe “Albtelecom” u nënshkrua në tetor 2006, nga Lulzim Basha, në atë kohë ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit në qeverinë e Partisë Demokratike. Ky i fundit, Basha, është aktualisht kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe udhëheqës i Partisë Demokratike. Basha refuzoi kërkesën për një intervistë dhe nuk iu përgjigj pyetjeve me shkrim. Kontrata që iu dha Fazlliçit dhe partnerëve të tij amerikanë u jepte akses te infrastruktura e internetit të “Albtelecom” për sipërmarrjen e tyre shqiptare me VoIP për gjashtë muaj.

Marrëveshja me “Albtelecom” filloi shumë mirë dhe “Meridian” fitoi së paku 150 mijë dollarë brenda gjashtë muajve të parë të vitit 2007, pretendojnë biznesmenët amerikanë. Të gjitha këto para,thonë Ginn dhe Altavilla, u përdorën për të shlyer një pjesë të kredisë bankare. Gjithsesi, probleme teknike sollën ndërprerjen e shërbimit për shkak se kutia e telekomit që përdorej për të drejtuar thirrjet e tyre “VoIP” fikej vazhdimisht. Fazlliç, kontakti i terrenit në Shqipëri, fillimisht punoi për të zgjidhur vështirësitë, por, siç pretendojnë partnerët amerikanë, ai papritur nuk iu përgjigj më e-maileve dhe telefonatave të tyre. Në tetor 2007, “Albtelecom” u ble nga dy kompani turke pas një procesi të gjatë privatizimi.

Kontrata e “falsifikuar” 

E-mailet e brendshme të “Meridian” të lexuar nga “BIRN” tregojnë se, ndërsa sipërmarrja e tyre në Shqipëri filloi të tronditej, Ginn dhe Altavilla zbuluan gjithashtu se kontrata e mbajtur nga “Albtelecom” kishte çmime dhe tarifa të ndryshme nga ato në kontratën që i qe prezantuar atyre nga Fazlliçi. Jo vetëm kaq, por Steve Slavin, administratori i “Meridian”, pretendoi se firma e tij në kontratën e “Albtelecom” qe falsifikuar, emri i tij qe shkruar gabim dhe se ai qe përshkruar në mënyrë jokorrekte me titullin “President”.”BIRN” nuk qe në gjendje të siguronte një kopje të kontratës.

Në e-mailet e lexuara nga “BIRN”, “Albtelecom” argumentoi se kutia  qe fikur për shkak se Meridian nuk kishte paguar faturat e veta, gjë e kundërshtuar nga amerikanët në bazë të faktit se ata dispononin një kontratë tjetër të cilën e kishin firmosur. Albtelecom i tha Meridian se ata nuk e dinin se kush i kishte dhënë kontratën atyre dhe se ata nuk kishin të dhëna të ndonjë dokumenti alternativ. Fazlliç refuzoi të komentojë. Ortakët më pas sollën në fushë Obrad Kesiç, një lobist me ndikim në Uashington DC me origjinë serbe, për të gjurmuar Fazlliçin dhe për të rigjallëruar kontratën e tyre me Albtelecom, por pa sukses. Ginn thotë se në fund ata vendosën të pranojnë humbjet. “Duke parë sasinë e parave në lojë, unë prisja që ai (Fazlliçi) të qe kujdesur… Tony dhe unë nuk kishim para për ta ndjekur,” i tha ai BIRN.

Fazlliç, bashkëshortja e të cilit Amra është një nënshtetase amerikane, i takoi fillimisht dy biznesmenët amerikanë më 2006 përmes një kontakti biznesi të përbashkët. Të impresionuar nga lidhjet e Fazlliçit në Shqipëri, trioja hartoi plane për të shfrytëzuar tregun VoIP që pritej të hapej së shpejti atje. “Mundësia qe aty për shkak se Damiri kishte lidhje politike në Shqipëri. Ai qe mik i mirë me kryeministrin (Berisha) dhe mund të merrte një kuti telekomi në Shqipëri dhe ne do mund të ishim në gjendje të shisnim minuta,” Altavilla i tha BIRN.

Fazlliç: ‘Partia Demokratike nuk mori asgjë’

Kur “BIRN” pyeti Fazlliçin mbi marrëveshjet e tij me Albtelecom përmes emailit, ai mohoi të kishte bërë ndonjëherë biznes me ta. Njësoj i ndrojtur në lidhje me përzjerjen e tij me Meridian, Fazlliç i tha “BIRN” gjatë një interviste në qershor se ai “kishte punuar me kompaninë”, duke u përpjekur të hedhë dyshime nëse ai qe një aksioner dhe duke refuzuar t’i përgjigjet drejtpërsëdrejti pyetjeve mbi pronësinë, thjesht duke pyetur: “Si isha unë një partner?”. Gjithsesi, dokumente nga rregullatori amerikan FCC tregojnë se Fazlliç kishte nën pronësi gjysmën e “Meridian Telecommunications” përmes kompanisë me bazë në Qipro “Cleone Limited”. Sipas dokumenteve qipriote, Fazlliç është i regjistruar si drejtor i “Cleone…”, ndërsa aksioneri i vetëm i saj është kompania me bazë në Londër “Morewig Limited”.

“Morewig” është një kompani guackë e themeluar në Londër nga një firmë regjistrimi qipriote, Ergoserve. Ajo është gjithashtu aksionerja e vetme e një kompanie tjetër me bazë në Qipro, Kelena Limited, e cila është e regjistruar zyrtarisht në këtë ishull. Bazuar në dokumentet ligjorë nga regjistri i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit në Shqipëri, pronari i Kelena-s është Fazlliç. Kur u pyet nga BIRN se pse ai i pati këshilluar Ginn dhe Altavilla për të paguar 1 milionë dollarë, Fazlliç mohoi të ketë patur ndonjëherë qëllim t’i transferonte paratë te Berisha apo te Partia Demokratike. “Ata (Ginn dhe Altavilla) duhej të bënin investimet dhe çdo gjë tjetër – unë thjesht po them se asgjë nuk m’u dha mua për t’ia dhënë Berishës apo Partisë Demokratike – kjo është deklarata,” tha ai. “Unë mendoj se ju do të gjeni se kjo marrëveshje qe një nga ato gjëra që nuk funksionoi.”

Fazlliç argumenton gjithashtu se ai nuk fitoi asgjë nga marrëveshja mes Meridian dhe Albtelecom për shkak se ajo dështoi, megjithëse emailet e shkëmbyera mes tij dhe partnerëve të tij amerikanë Ginn dhe Altavilla e bëjnë të qartë se ai natyrisht priste të fitonte. Në këto emaile, të lexuara nga “BIRN”, Fazlliç kërkoi që të gjitha fitimet të transferoheshin në llogarinë e tij bankare në ishujt Britanikë Virgjin.

 

Fazlliç: Aksesi politik është “i ligjshëm”

Dosja me e-maile dhe dokumente të marra nga “BIRN” gjatë investigimit mbi marrëveshjen mes Meridian-Albtelecom hedh më shumë dritë në mënyrën se si Fazlliçi përdori aksesin e tij te Berisha dhe elita politike për të ndërmjetësuar marrëveshje dhe për të marrë informacion nga politikanët. Kliko për të dëgjuar intervistat. Në një email, Fazlliç i thotë partnerëve të tij amerikanë se ai kishte ‘marrëveshjen e Meridian të nënshkruar nga Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit’. Në një tjetër, një punonjës i “Meridian” përmbledh një bisedë telefonike me Fazlliç gjatë së cilës Boshnjaku flet për takimin me kryeministrin e Shqipërisë për të diskutuar një marrëveshje energjetike ku Meridian po përgatitej të hynte.

Fazlliç qe këshilltar i afërt i Berishës dhe anëtarëve të tjerë të lartë të Partisë Demokratike gjatë fushatës së tyre të suksesshme zgjedhore të vitit 2005, duke rekrutuar kompaninë e lobimit me ndikim në Uashington DC, BGR, për të këshilluar. Ai këmbëngul se nuk i tarifoi asgjë partisë për ndihmën e tij, duke pretenduar se ai ka ndihmuar thjesht sepse besonte te kauza e tyre.

Perandoria e Fazlliçit

E-mailet e marra nga “BIRN” gjatë investigimit mbi marrëdhënien e Fazlliç me “Meridian” tregojnë se si britaniko-boshnjaku përdori lidhjet e tij politike të krijuara gjatë fushatës elektorale shqiptare për të lehtësuar investimet e tij të biznesit nëpër botë ndërsa ia doli të mbajë përfshirjen e tij në marrëveshjet shtetërore shqiptare jashtë vëmendjes së njerëzve. Sipas një emaili, Fazlliçi ishte në kontakt me kryeministrin e kohës në Shqipëri, Sali Berisha, për një tender shtetëror të vitit 2007 për t’i siguruar vendit gjeneratorë.”Meridian” përgatiti ofertën për kontratën por partnerët amerikanë të firmës nuk qenë në gjendje të tregojnë nëse ajo u tenderua apo jo pasi komunikimet me Fazlliçin u ndërprenë.

Korrespondenca mes partnerëve amerikanë të “Meridian” dhe Fazlliçit zbulojnë gjithashtu që britaniko-bosnjaku planifikoi të përdorte kontaktet e tij të fituara përmes këshillimit të një partie pa emër në një fushatë zgjedhore në Maqedoni për të siguruar marrëveshje telekomunikimi atje. Dokumentet zbulojnë gjithashtu se Fazlliç ka qenë në kontakt me përfaqësues në Kongo në lidhje me një projekt të ngjashëm. Fazlliçi punoi krahas ekspertëve amerikanë të zgjedhjeve në fushatën e suksesshme të vitit 2006 për president nga Joseph Kabila.

Pas fitores zgjedhore të Berishës, Fazlliçi me shpejtësi filloi të përdorë kontaktet e tij për të ndërtuar perandorinë e tij të biznesit në Shqipëri – në atë kohë, një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë. Ai themeloi në Tiranë tre kompani:” Crown Acquisitions”,” Virtu Acquisition” dhe”SRF Developments”, duke vendosur kunatin e Bashës, Erion Isufin, si menaxher të tyre.

Lidhjet e tij të dyshimta me pushtetin erdhën nën hetim intensiv kur prokurorët e Shqipërisë – të alarmuar nga përdorimi i bankave nëpër parajsa fiskale dhe blerjeve me para në dorë të tokave – filluan një hetim për pastrim parash në tetor 2008 mbi një seri marrëveshjesh tokash të ndërmjetësuara për Fazlliçin nga vajza e Berishës, avokatja Argita Malltezi. Hetimi u kritikua rëndë dhe publikisht nga Berisha dhe mbështetësit e tij dhe prokurorët në fund hoqën dorë pasi dështuan të gjejnë dokumente kyçe në lidhje me operacionet e biznesit të Fazlliç nga zyrtarët e Qipros dhe Bosnjës. Si Berisha ashtu edhe Fazlliçi në mënyrë të përsëritur mohuan akuzat se bosnjaku pati përfituar nga lidhjet e tij politike, por dokumentet e zbuluara nga BIRN në një hetim mbi marrëveshjet e dyshimta të tokave sugjerojnë të kundërtën.

Në një intervistë me “BIRN”, Fazlliçi, i cili ka miq të fuqishëm në Uashington dhe Ballkan, pranoi se ai përdori kontaktet e tij për të hapur dyer, por mohoi të ketë bërë gjëra të papërshtatshme. “A i përdor unë çdo ditë kontaktet e mija për të hapur disa dyer? Po. Një gjë është të kesh akses, një gjë tjetër të bësh korrupsion. Aksesi është një mjet i ligjshëm në biznes dhe kjo është ajo që unë dua ta bëj të qartë,” tha ai. Përgjatë kësaj kohe, Altavilla ka qenë duke rindërtuar jetën e tij pasi u detyrua të deklarojë falimentin më 2012, ende i bllokuar me gjysmën e kredisë 1 milionë dollarëshe. “Unë u tregova budalla,” pranon ai, tashmë që ka humbur shpresat se do të shohë investimin e tij sërish. /Reporter.al/

Facebook Comments

POST A COMMENT.

18 − 4 =