A është tymnaja post-14 tetor një skenar serb

AnalizeOpinion
227
0
sample-ad

[vc_row][vc_column width=”1/1″][/vc_column][/vc_row][vc_row][vc_column width=”1/1″][vc_single_image image=”2350″ border_color=”grey” img_link_target=”_self” img_size=”full”][/vc_column][/vc_row][vc_row][vc_column width=”1/1″][vc_column_text]Nga: Arben MANAJ

A është gjithë tymnaja post-14 tetor një skenar serb për rifitimin e pozicionit të kahershëm të Serbisë si faktor kryesor i politikës ballkanike? Dukshëm, të gjitha lëvizjet politike dhe diplomatike konvergojnë në këtë hamendësim apo deduksion, në varësi të këndvështrimit.

Serbia, historikisht ka luajtur kartën e supershtetit ballkanik, që në kohën e ish-Jugosllavisë së Titos, shtet i cili ka qenë i përkëdheluri i Perëndimit, si vitrinë për gjithë perandorinë socialiste, e cila më shumë ishte ideologjikisht e papëlqyeshme për Moskën, kryeqendrën e sistemit socialist në atë botë, pasi lidhjet etnofetare ishin dytësore apo edhe më tej.

Ky pozicion i privilegjuar politikisht përforcohej edhe nga gjendja ekonomike e pompuar nga miliardat e huave dhe kredive të Perëndimit, gjendje e cila ndihmoi Beogradin, si ish-kryeqendrën e ish-Jugosllavisë të mbetej më pas si kryeqyteti trashëgimtar i Serbisë së sotme, epiqendra e institucioneve më të rëndësishme politiko-administrative apo financiare.

Ndryshe nga shtetet përbërëse të ish-Jugosllavisë, që deklamuan një vokacion më të spikatur proeuropian, Serbia konservoi apo edhe shpalosi orientime më të spikatura pro sllavo-ruse e antiperëndimore që morën trajtën më të egër pas sulmeve ajrore të NATO-s.

Këto sentimente të fuqishme ende duket se janë mbizotëruese dhe me rrënjë të thella, pavarësisht shtërzimeve proeuropiane të establishmenteve të brishta anacionaliste në Serbi.

Vizita e Putinit dhe parada për nder të tij, e cila “koincidoi” tre-katër ditë më herët me datën që duhej të përkonte realisht, është shembull i pro-rusizmit serb, si karshillëk diplomatik dhe politik ndaj Brukselit.

Në fund të fundit, kjo filorusi serbe është reflektim i asaj që ndiejnë në zemër shumica e serbëve, si kombi ndoshta më pak properëndimor apo proamerikan në Ballkan.

E kur e krahason me më properëndimorët apo më proamerikanët, siç janë shqiptarët, kupton realisht se në cilën llogore qëndrojnë stabilimentet politike respektive.

Jashtë dhe larg shtjellimeve, shpesh tipike ballkanike, për zhvillime të caktuara në rajon, Shqipëria, vit pas viti, po merr një peshë akoma më të rëndë politiko-diplomatike në sytë e Perëndimit.

Te ndërgjegjësimi se shqiptarët tashmë janë një faktor mjaft i rëndësishëm në gadishull, pa angazhimin e të cilëve, shumë ekuilibra të brishtë gjeopolitikë rajonalë do të shkërmoqeshin brenda natës, për shkak të potencialit për të ndikuar te popullsia shqiptare në shtete të ndryshme ballkanike, do të duhet gjetur shkaku.

Në secilin prej këtyre shteteve nëse shqiptarët do të “dilnin nga shinat” europiane, ata do të mund të destabilizonin ku më shumë e ku më pak, çdo shtet ku ata jetojnë.

Pikërisht ky neoegalitarizëm që po shfaq Perëndimi për Tiranën politike në relacion me serbët, siç ishte së fundi Samiti i Berlinit, nuk ka sesi të mos shkaktojë xhelozi dhe frustrim diplomatik në Beograd.

Dhe si kundërbalancë, Beogradi përdor kartën ruse.

Problemi më i madh i Serbisë dhe për pasojë edhe Europës apo edhe Shqipërisë, për hir të argumentit, është fakti se Beogradi, ashtu si shqiponja e bardhë në flamurin serb, një kokë e ka të drejtuar nga Brukseli dhe tjetrën nga Moska.

Politikanët e strategët serbë po luajnë një lojë të madhe gjeopolitike në kushtet kur Moska kërkon të silurojë Perëndimin më në thellësi të kontinentit, për dallim nga kufijtë lindorë të BE-së dhe NATO-s.

Dhe silura ruse duket se është Serbia, ndërkohë që Beogradi po shfrytëzon tinëzisht lidhjet me Moskën për të bërë presion e trysni ndaj Brukselit se edhe mund të orientohet përfundimisht nga Moska, edhe pse e ka një këmbë në Europë.

Por, siç ndodh shpesh në lëshim silurash, ai veçse shkatërrohet me siguri maksimale krahasuar me objektivin që kërkon të asgjësojë.

Ndërkohë, Serbia nuk do të mund ta luajë përgjithmonë këtë lojë, nëse e ka si manovër taktike nacionalizmin apo si karrem për më shumë favore, privilegje e status primati në Ballkan.

Edhe pse duket se Merkel në Samitin e Berlinit pati në krah Ramën, edhe siç u tha për arsye alfabetike, një gjë është e sigurt, se asnjë lëvizje diplomatike nuk bëhet e paparamenduar deri në hollësi dhe alfabeti mund të jetë një alibi e një loje më të madhe dhe orientimi më të kalkuluar nga lokomotiva e ekonomisë europiane, si përfaqësuese autoritare e Perëndimit.

Rama problemin më të madh e ka me rrezikun e atashimit më shumë se ç’duhet me çështjen serbe, si një shqetësim europian, duke rrezikuar që Serbia ta përdorë Tiranën si spirancë të re të nacionalizmit të saj dhe si gozhdë për të varur strategjinë e saj për të luajtur me dy porta, me Brukselin dhe Moskën njëkohësisht.

Një fakt është më se i kalcifikuar tashmë; Shqipëria dhe Serbia jo vetëm me ngjarjet e fundit, por edhe më para tyre, nuk mund të shpresojnë as në ëndrrën më të bukur të tyre, se do të mund të hyjnë në Bashkimin Europian përpara njëra-tjetrës, pasi frika e mirëbazuar është se Beogradi mund t’i vërë veton Shqipërisë dhe Kosovës nesërdej, ashtu siç edhe mund të bëjë të njëjtën gjë Shqipëria ndaj Serbisë në BE dhe siç mund t’ia vendosë që sot shumë mirë veton për hyrjen në NATO, edhe pse kjo duket po aq e largët dhe e ftohtë si ide sa poli i veriut.

Afrimi serb me Rusinë e Putinit, qoftë edhe për mosbesueshmërinë e sekreteve të Aleancës, një aleati të Rusisë, e bën perspektivën e Serbisë në NATO thuajse të pamundur për shumë vite, një vend që ende djeg me po aq lehtësi flamurin e NATO-s, sa edhe atë shqiptar.

Andaj Kryeministri shqiptar, edhe pse shkon me njëfarë misioni europianizues në Beograd, për të përforcuar indirekt më shumë krahun reformator dhe proeuropian në politikën serbe, po aq do të duhet të jetë i vetëdijshëm se lidhja e kalit shqiptar me karrocën serbe me rrota të zhvidhosura e të spanuara rrezikon frenimin e Shqipërisë nga proceset integruese.

Përzgjedhja serbe dukshëm është shumë ndryshe nga ajo shqiptare dhe vokacioni properëndimor i Shqipërisë dhe shqiptarëve si popullsi.

Serbia, nëse ecën në këtë rrugë, ka gjasa të futet në grupin aspirues bashkë me Turqinë, për arsye krejt të ndryshme.

Në një botë ideale, vizita e Ramës në Beograd do të duhej të përbënte për Beogradin dhe Tiranën momentin e pakthyeshëm të konsolidimit të vokacionit të tyre properëndimor dhe të qenët në një varkë.

Një vizitë e tillë, veçse do të bindte më shumë ata që janë lodhur me zgjerimin dhe atyre që janë lodhur me lodhjen nga zgjerimi, që të përshpejtohej procesi i aderimit të këtyre dy vendeve dhe tërë Ballkanit.

Por rasti e solli që kjo vizitë, jo për faj të Ramës, të ndihmojë ata që vendosin për zgjerimet e ardhshme të BE-së, që çdo vend do duhet pranuar jo vetëm për progresin individual, por edhe për seriozitetin e vokacionit të tyre politik ndaj Bashkimit Europian.

Ndaj, edhe vizita e Ramës në Serbi, ku ai do tentojë të jetë më sharmant se diku gjetkë, do të jetë për të një vizitë e thjeshtë dhe më shumë protokollare, e tipit “win-win situation”, edhe pse pa ndonjë rezultat inspirues.

*Autori i shkrimit është gazetar pranë BBC-së.Komenti është marrë nga gazeta “shqip”,titulli është i redaksisë së “shtypi.net”[/vc_column_text][/vc_column][/vc_row]

Facebook Comments

POST A COMMENT.

3 × three =