Kush po i bën thirrje Edi Ramës ta lërë prapa të kaluarën

Opinion
192
0
sample-ad

Nga: Augustin PALOKAJ

Një koleg me ironi më thotë se “Edi Rama urgjentisht duhet të distancohet nga brushat, ngjyrat dhe pikturat e tij” dhe bashkë të kujtojmë se çfarë bënin dhe thoshin Vuçiqi, Daçiqi dhe Nikoliqi në kohën kur Rama si i ri merrej me pikturat e tij. Vuçiqi thërriste për vrasje jo në stadium, por në foltore të Kuvendit të Serbisë. “Për 1 serb do t’i vrasim 100 myslimanë dhe të shohim”, është deklarata e tij e asaj kohe, e cila ende mund të gjendet në “Youtube”. Krahas kësaj, ai edhe atëherë fliste se “Karllobag, Virovitica dhe Kralovac janë në Serbi” (këto janë qytete në Kroaci). Daçiqi ishte sekretar për informim në partinë e Slobodan Milosheviqit. Tomislav Nikoliqi jo vetëm atëherë, por edhe kur u bë president tha se “Vukovari është qytet serb dhe kroatët nuk kanë pse të kthehen në atë qytet

“Jo, nuk do të shkoj në stadium për të shikuar ndeshjen sepse pjesëmarrja e presidentit të shtetit në një ngjarje të tillë dërgon edhe mesazh. Duke pasur parasysh se në stadium vazhdon të dëgjohet gjuha e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë, unë nuk mund të shkoj sepse kjo do të mund të kuptohej sikurse presidenti i shtetit pajtohet me thirrje të tilla. E dua futbollin, por do ta shoh ndeshjen në TV dhe kur të ndërpritet praktika e përdorimit të gjuhës së urrejtjes do të shkoj si president shteti edhe në stadium”.

Kështu të dielën, më 12 tetor, është përgjigjur presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, në pyetjen se a do të shkojë në Osijek për të shikuar ndeshjen e Kroacisë kundër Azerbajxhanit në kuadër të kualifikimeve për Euro 2016. Një qëndrim i tillë Josipoviqit do t’i kushtojë pjesërisht në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, por ai nuk heq dorë nga parimet e tij.

Të nesërmen në stadiumin JNA në Beograd presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ishte i pranishëm në ndeshjen e Serbisë kundër Shqipërisë, ku brohoritej “ubi, ubi, ubi šiptara” (vrite, vrite shqiptarin), “Ubi Hrvata da Šiptar nema brata” (Vrite kroatin që shqiptari të mos ketë vëlla) dhe thirrja gjenocidale “ubij, zakolji, da šiptar ne postoji” (vrit, prej që shqiptari të mos ekzistoj). Sot e kësaj dite nuk kemi dëgjuar asnjë dënim të këtyre thirrjeve nga asnjë lider politik në Serbi. Bëhen sikur të mos kenë ndodhur gjërat e tilla.

Huliganizmi në ngjarjet sportive në territorin e ish-Jugosllavisë ka një traditë të gjatë. Ky fenomen, në këtë mënyrë, në Shqipëri nuk është shumë i njohur. Në ngjarjet sportive, sikur edhe në shumë fusha të tjera, në Shqipëri ka kriminalitet. Ka sulme ndaj referëve, por këtë e bëjnë më shumë vetë përfaqësuesit e klubeve sesa tifozët. Tradita e huliganizmit në ish-Jugosllavi daton që nga koha e shtetit të përbashkët kur grupet e tifozëve të skuadrave të mëdha, si Cërvena Zvezda dhe Partizani nga Beogradi, Dinamo e Zagrebit, Hajduku i Splitit përballeshin me njëra-tjetrën.

Fjalori i tyre nuk dallon shumë as sot. Thirrjet për vrasje, varje, prerje janë pjesë përbërëse e këtij fjalori. Dhe kjo është bërë thuajse normale. Por ka dallim të madh mes Kroacisë dhe Serbisë. Kur në stadiumet e Kroacisë bërtasin “srbe na vrbe” (serbët në shelgje-sinonim për varje) apo “ubi ubi ubi srbina” (vrite, vrite serbin) menjëherë fillon debati në media dhe në shoqëri civile. Politikanët distancohen nga këto thirrje. Mediat i kritikojnë ato dhe thirrjet e tilla janë gjithnjë e më të vogla.

Në Serbi nuk shohim asnjë debat për thirrjet, për vrasjen dhe prerjen e shqiptarëve dhe të kroatëve. Por mungesa e distancimit nga thirrjet e tilla nga ana e liderëve mungon edhe në debatet në media. Në një terr të ri medial në të cilin gjendet Serbia, këto ditë mund të lexohet edhe ky citat: “Sipas Federatës së Futbollit të Shqipërisë gjatë ndeshjes në Beograd, thonë ata, ka pasur thirrje për vrasjen e shqiptarëve”. Pra mediat e Beogradit nuk kanë dëgjuar asgjë të tillë, por ja, shqiptarët “shpifin për ta satanizuar popullin serb dhe për ta paraqitur negativisht para botës”.

Për të gjithë ata të cilët e kanë ndjekur luftën në territorin e ish- Jugosllavisë kjo sjellje e mediave në Serbi dhe e skenës politike kujton kohën e luftës. Kur bëheshin krime në Kroaci, Bosnjë e Kosovë akuzoheshin mediet e huaja se “po bien viktimë e propagandës kroate, myslimane apo shqiptare që ka për qëllim satanizimin e popullit serb dhe nxitjen e ndërhyrjes ndërkombëtare”. Ndër strategët e kësaj fushate në kohën e Milosheviqit kanë qenë kryeministri i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq. Tomislav Nikoliqi ka qenë më pak aktiv në media e më shumë, sipas burimeve serbe, i angazhuar personalisht në organizimin e luftëtarëve për pjesëmarrje në agresionin serb në Kroaci. Këta të tre sot janë tre liderët kryesorë të Serbisë, të mirëpritur në Bruksel.

Çfarë ironie. Nikoliqi i bën thirrje Edi Ramës që “Shqipëria ta lërë prapa të kaluarën dhe t’i kthehet të ardhmes”. Daçiqi flet për rrezikun nga “Shqipëria e madhe”, ndërsa Vuçiqi dronin e quan “tentativë për të fyer popullin serb”.

Një koleg me ironi më thotë se “Edi Rama urgjentisht duhet të distancohet nga pikturat e tij” dhe bashkë kujtojmë se çfarë bënin dhe thoshin Vuçiqi, Daçiqi dhe Nikoliqi në kohën kur Rama si i ri merrej me pikturat e tij. Vuçiqi thërriste për vrasje, jo në stadium, por në foltore të Kuvendit të Serbisë. “Për 1 serb do t’i vrasim 100 myslimanë dhe të shohim”, është deklarata e tij e asaj kohe, e cila ende mund të gjendet në Youtube. Krahas kësaj ai edhe atëherë fliste së “Karllobag, Virovitica dhe Kralovac janë në Serbi” (këto janë qytete në Kroaci.

Daçiqi ishte sekretar për informim në partinë e Slobodan Milosheviqit. Tomislav Nikoliqi jo vetëm atëherë, por edhe kur u bë president tha se “Vukovari është qytet serb dhe kroatët nuk kanë pse të kthehen në atë qytet”. Vukovari është qytet simbol i heroizmit dhe rezistencës kroate gjatë luftës dhe vendi ku u bënë krimet e para të mëdha gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Mbi 1000 persona ende llogariten si të pagjetur nga ky qytet, i cili para 23 vjetësh kishte rënë në duart e serbëve. Kur Nikoliqi u arsyetua se gazeta gjermane ka shpifur, sepse ai nuk ka thënë se “Vukovari është qytet serb”, gazetari bëri publik audioincizimin ku ai dëgjohet vërtet të ketë thënë këto fjalë.

Pra të tre këta liderë, që dikur jo vetëm se bënin thirrje për Serbinë e madhe, por edhe luftuan praktikisht për realizimin e këtij projekti, tash si tmerrin e botës e paraqesin dronin mbi Beograd si fillim i realizimit të idesë së Shqipërisë së Madhe. Dhe vetëm dy ditë pas ndeshjes në Beograd, në prani të presidentit rus, Putin, Nikoliq thotë këtë: “Serbia asnjëherë nuk ka bërë lufta agresive për të okupuar territore të të tjerëve!”. Në Kroaci, Bosnjë e Kosovë nuk e dinë a të qeshin a të shastisen nga një deklaratë e tillë. Ose Presidenti i Serbisë nuk do ta pranojë se Serbia ka bërë agresion në Kroaci, për shembull, ose vërtet qytetet kroate ku luftonin forcat nga Serbia i konsideron si të Serbisë.

Nikoliqi thotë se “Serbia i ka lënë prapa luftërat e saj dhe sheh nga e ardhmja”, ndërsa në Kroaci kësaj i përgjigjen se “Serbia i ka humbur luftërat” duke rikujtuar se Kroacia u çlirua vetë pas operacionit ushtarak në verën e vitit 1995, se lufta në Bosnjë mori fund me ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa gjenocidi në Kosovë u ndal pas ndërhyrjes së NATO-s. Të gjitha këto luftëra Serbia i vazhdoi dhe në to pati prerje dhe vrasje derisa nuk doli dikush për ta ndalur. E tash këta e ftojnë Shqipërinë që të bëhet “shtet normal” duke konstatuar se ndoshta Shqipërisë për t’u bërë shtet normal do t’i duhen “dekada e ndoshta edhe shekuj”. Natyrisht se për nacionalistët si Nikoliqi kurrfarë Shqipërie nuk mund të jetë shtet normal. Për nacionalistët serbë fjala “shtet” dhe “Shqipëri” nuk shkojnë bashkë, sepse po të pyeteshin njerëz të tillë nuk do të ekzistonte asnjë shtet shqiptar e lëre më dy shtete.

Mes kroatëve dhe serbëve ka urrejtje. Por urrejtja ndaj shqiptarëve ka një dimension krejt tjetër. Kjo është një urrejtje e bazuar edhe në nënçmim, sepse serbët që kanë paragjykime i trajtojnë shqiptarët si njerëz të nivelit të ulët, jo të barabartë. Kanë urrejtje ndaj kroatëve por kanë edhe një lloj respekti dhe xhelozie. I konsiderojnë kroatët edhe armiq, por edhe rivalë të denjë. Sidomos në sport. E me Shqiptarët as që duan të krahasohen. Këtu buron edhe arsyeja pse askush në Beograd nuk i ka dëgjuar thirrjet për vrasje të shqiptarëve, por këto janë pohime të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Dhe mund të pajtohem me faktin se Serbia është e tillë çfarë është.

Por nuk mund të pajtohem kurrsesi kur BE-ja nuk sheh arsye për të dënuar thirrje të tilla nga stadium i Beogradit. Rastësisht ka qëlluar që ambasadori i BE-së në Beograd të flasë edhe serbisht. Kjo e bën edhe më të pafalshëm lëshimin që ka bërë Bashkimi Evropian duke mos e dënuar në asnjë mënyrë gjithë këtë thirrje, duke mos e përmendur fare asnjë provokim që u dëgjua në Beograd deri në ndërprerjen e ndeshjes dhe duke iu referuar vetëm “një akti të provokimit”, duke menduar në “dronin e Shqipërisë së Madhe” dhe duke konstatuar se “autoritetet serbe kanë vepruar me profesionalizëm”. Me këtë sjellje BE-ja ka humbur kredibilitetin moral dhe ka dhënë një deklaratë të njëanshme duke paragjykuar pafajësinë e Serbisë dhe duke tejkaluar madje pohimet e vetë ministrit të Jashtëm serb, Daçiq, se “Serbia meriton të kritikohet për organizimin e ndeshjes”.

Por ajo që ka pasuar nga shumë shqiptarë, që i janë vërsulur me rrjete sociale, me mesazhe telefonike dhe e-maila zëdhënëses së baroneshës Ashton është e papranueshme. Sulmet dhe fyerjet ndaj saj janë primitive dhe në adresë të gabueshme sepse ajo, sikur edhe secili zëdhënës në BE, thotë vetëm qëndrimet e organizatës ku punojnë. Nuk është ajo që shpreh mendimin e saj, por lexon atë që i është përgatitur. Pra ishte BE-ja ajo që tentoi t’i ndihmonte Serbisë e jo zëdhënësja.

Dhe tek qëndrimi i BE-së përsëri duhet parë diçka egoiste. Asaj vetëm i interesojnë sukseset politike. E sukses i tillë i BE-së do të konsiderohej vizita e Edi Ramës në Beograd. Prandaj BE-ja në reagimin e parë ka dhënë një deklaratë politike me qëllime politike dhe sporti as që i intereson, sikur FIFA dhe EUFA të cilat dëshirojnë që politika të mos përzihet në sport, po ashtu tash BE-ja dëshiron që ngjarja sportive të mos ndikojë në agjendat politike.

Tash Edi Rama është në një periudhë kur po merr këshilla nga të gjitha anët se a duhet apo jo të shkojë në Beograd. Ai dhe Qeveria shqiptare duhet të vendosin vetë për këtë. Nëse shkon do të duhej ta arsyetonte atë si vendim të vetë Shqipërisë e jo si përfillje të thirrjeve të “miqve ndërkombëtarë” apo të BE-së, sepse BE-ja më nuk ka autoritet moral t’i bëjë thirrje atij që të shkojë në Beograd.
Ka shumë arsye për të mos shkuar në Beograd, por ka edhe arsye në anën tjetër. Kush është në pushtet në Serbi ka vendosur populli i Serbisë, madje në zgjedhje të cilat askush nuk i ka kontestuar. Nga Kosova askush nuk ka të drejtë ta ftojë Ramën të mos shkojë në Beograd në kohën kur vetë liderët kosovarë jo vetëm se janë takuar me këta liderë të Serbisë, por edhe kanë bërë lëshime në dialog me ta në Bruksel.

Nëse shkon në Beograd, Rama duhet të tregojë më shumë dinjitet sesa që kanë treguar liderët kosovarë në takimet e Brukselit duke qenë inferiorë ndaj palës serbe dhe duke rënë nën presion të burokratëve të Brukselit. Nëse Rama vendos të mos shkojë duhet ta thotë arsyen dhe nuk duhet të shqetësohet shumë me kritikat eventuale që do të vinin nga Brukseli. E mirë apo e keqe, normale apo jo, Shqipëria është shtet tash e më shumë se 100 vjet dhe le të vendosë vetë Qeveria e zgjedhur nga populli se si do t’i ndërtojë raportet me Beogradin.

E sa për sportin dhe politikën, sado që të tentojnë në Bruksel që të mos përzihen, kjo është e pamundur, sepse sporti është aq i rëndësishëm për njerëzit saqë askush nuk mund ta injorojë nëse llogarit në vota. Dhe këtu ndoshta qëndronte dhe problemi pse ngjarjet e Beogradit janë politizuar aq shumë. (KOHA.net)

Facebook Comments

POST A COMMENT.

4 + 10 =