Hyjnia Google

Opinion
296
0
sample-ad

Nga: Ardian VEHBIU

Këto ditë, sajti im i preferuar Amazon.com filloi të më sugjerojë albume të Céline Dion. Meqë sugjerime të tilla mbështeten zakonisht në kërkimet e përdoruesit, u habita pak, meqë s’më kish shkuar shumë mendja për këtë Céline, kohët e fundit. Pastaj papritur u ndriçova: fajin e kish pasur një interesim imi, para pak kohësh, për romanin Voyage au bout de la nuit, të Louis-Ferdinand Céline.

Punë homonimie, siç të thonë ndonjëherë në polici.

Megjithatë, lajthitje të tilla beninje të motorëve të kërkimit i ka futur në mendime shumë studiues të komunikimit tonë me makinat.

Një sprovë e filozofit, kritikut të artit dhe teoricienit të mediave Boris Groys, Google: Words beyond Grammar, botuar tani së fundi si edicion dy-gjuhësh në serinë documenta (13) ndihmon për ta rrokur problemin në tërësinë e vet.

Sipas Groys-it, jeta e njeriut gjithnjë është shtjelluar si dialog me botën; dhe mënyra si i formulojmë pyetjet tona ndikon, tek e fundit, edhe në çfarë bëhemi dhe, në analizë të fundit, jemi. Për arsye të mirënjohura, ky dialog yni me botën sot ka marrë formën e marrëdhënieve tona me Internetin, të cilat nga ana e tyre përcaktohen nga Google-i.

Google-i, thotë Groys-i, po luan sot atë rol që tradicionalisht e ka luajtur feja dhe filozofia.

Po të shohim tani se çfarë e pyesim Google-in, shënon autori, do të vëmë re se rregullat e komunikimit janë të tilla që të na detyrojnë të kërkojmë për fjalë, ose një kombinim fjalësh “të njësuar”; dhe Google-i na jep si përgjigje një bashkësi kontekstesh të kësaj fjale – ose të këtij grupi fjalësh.

Supozimi që i nënvendoset këtij transaksioni është se Google-i “beson” që kuptimi i fjalës për të cilën folëm përfaqësohet më së miri nga tërësia e konteksteve ku ajo përdoret.

Çka do të thotë, vazhdon Groys-i, që “Google-i presupozon dhe kodifikon një shpërbërje radikale të gjuhës në bashkësi fjalësh të veçanta”, duke i çliruar këto fjalë nga gramatika. Në vend të propozitave gramatikisht korrekte, që dikur merrnim si përgjigje prej religjionit, filozofisë dhe dijes, tani na serviret një “re fjalësh”, ku çdo njësi është shkëputur nga vargonjtë gramatikorë të gjuhës.

Si motor filozofik, thotë autori, Google-i promovon barazinë e fjalëve; pa çka se ky akt në dukje revolucionar ia heq pushtetin gramatikës ndaj leksikut.

Implikimet e kësaj ideje të lënë gojëhapur. Më kujtuan sakaq një pasazh të njohur të Nietzsche-s, ku ky vëren se forma kryefjalë-kallzues (subjekt-predikat) e gramatikës është një nga mashtrimet më të mëdha të gjuhës; dhe më tej, kur ai thotë – me një aforizëm po aq të njohur – se “kam frikë se nuk e heqim dot qafe Zotin, sa kohë që ende kemi besim te gramatika.”

Google-i, si të thuash, e ekzekuton në litar Zotin e mendimit perëndimor duke ia shkelmuar karrigen e gramatikës, dhe duke ia zënë vendin, si hyjni surrogato dhe rizomatike: we are legion.

Por le të kthehemi te Groys-i, i cili tani ia rikujton lexuesit, nëpërmjet një digresioni, se rivaliteti metafizik mes gramatikës dhe leksikut mund të ndiqet në historinë e filozofisë së prapthi, deri në fillimet e saj; pa përmendur pastaj se themelimi i dijes mbi fjalorët dhe enciklopeditë ka shërbyer edhe si një hap drejt çlirimit të fjalëve prej gramatikës; të kurorëzuar, natyrisht, me dekonstruksionin e Derrida-s, që ekzalton migrimin e fjalës nga një kontekst në tjetrin, duke e çarmatosur çdo përpjekje për përcaktimin e një konteksti normativ të fjalës vetë.

Me një metaforë prej marksisti, Groys thotë këtu se Google-i e ktheu dekonstruksionizmin kokëposhtë, duke i kundërvënë pafundësisë së konteksteve një motor kërkimi të fundmë.

Por rrëzimi i gramatikës sjell edhe një pasojë tjetër – nëse do të pranojmë, me Heidegger-in, se gjuha është shtëpia e qenies, një metaforë brenda së cilës gramatika e gjuhës mund të krahasohet me arkitekturën e një shtëpie, atëherë çlirimi i leksikut nga gramatika, thotë Groys, e bën njeriun “gjuhësisht të pastrehë.”

Pa gramatikë, njeriu nuk flet më, por vetëm i lë fjalët të shfaqen ose të zhduken, në kontekste të ndryshme; duke u shndërruar, sipas Groys-it, në kurator fjalësh: sa kohë që përdor kontekste, vende ose troje gjuhësore të vjetra ose krijon të reja.

Por ka edhe më. Shpërbërja e gramatikës dhe çlirimi i fjalëve individuale “e bën rritshëm irrelevant dallimin midis po-së dhe jo-së, midis pozicioneve kritike dhe mbështetëse: çfarë ka tanimë rëndësi është vetëm nëse një fjalë e caktuar merr apo jo pjesë në një kontekst. Kapitali simbolik i një fjale çfarëdo, brenda motorit Google, nuk ka lidhje me çfarë thuhet për konceptin e referuar, brenda kontekstit përkatës: dildo do të vlejë virtualisht njëlloj, si në një reklamë lodrash seksi, ashtu edhe në një trajtesë akademike të gjinisë.

Thotë Groys-i:

Operacionet bazë gjuhësore të pohimit dhe të mohimit bëhen kështu irrelevante dhe zëvendësohen nga operacionet jashtë-gjuhësore të përfshirjes ose të përjashtimit të fjalëve të caktuara në kontekste të caktuara – çfarë e përkufizon pikërisht kuratorinë (curatorship). “Kuratori i fjalëve” operon me tekstet si re fjalësh: atij nuk i intereson çfarë thuhet në këto tekste, por vetëm çfarë fjalësh shfaqen atje, dhe çfarë fjalësh nuk shfaqen.

Autori këtu mund të kish përmendur edhe që ky identifikim i fjalës si njësia elementare e tekstit dhe e vetë gjykimit (propozitës) duket sikur shpërfill – për arsye kryesisht teknike – faktin që leksiku jo vetëm i nënshtrohet sintaksës, por edhe që ai vetë fsheh, brenda zhguallit të formës fonematike të fjalës, atë dukuri, shpesh edhe ajo hierarkike, që leksikologët e quajnë polisemi, dhe që ka të bëjë me faktin, njëlloj elementar, se fjalët e një gjuhe kanë më shumë se një kuptim; dhe se po të kërkojmë, bie fjala, për pasqyrë, do të marrim një listë rezultatesh ku përfshihen, në mënyrë haptazi demokratike, edhe tekste që i referohen orendisë që përdorim për të parë veten, edhe tekste që i referohen përmbledhjes së përmbajtjes së gazetave ose të shtypit (pasqyra e shtypit). Kjo do të thotë edhe se filozofia e Google-it i kundërvihet jo vetëm gramatikës së jashtme (sintaksës dhe morfologjisë), por edhe asaj të brendshme të fjalës (polisemisë).

Si kritik arti, Groys-i nuk mund të mos i referohej këtu edhe futuristit italian Marinetti, i cili gjithashtu pat bërë thirrje, në një pamflet të vitit 1912, për “të shkatërruar sintaksën”, thirrje që u pasua, dy vjet më vonë, nga një projekt i njohur si parole in libertà, si version i hershëm i reve leksikore. Marinetti do të sendërtonte më pas, gjithnjë sipas Groys-it, edhe çka është quajtur më vonë si “vetë-propagandë negative”, ku përmendja e emrit, pavarësisht se në kontekste përçmimi ose urrejtjeje, është gjithnjë për t’u preferuar ndaj heshtjes. Në epokën moderne, thotë Groys-i, kjo do të shndërrohej në taktikë standard të vetë-publicitetit.

Një tjetër bulevard që meriton të eksplorohet, sa i përket çlirimit të leksikut nga gramatika, e ka pikënisjen nga përdorimi që i bën Freud-i gjuhës. Në psikanalizë, shpjegon Groys-i, fjalët funksionojnë pothuajse si hyperlinks: heqin dorë nga pozicionet gramatikore dhe fillojnë të funksionojnë si lidhje drejt kontekstesh të fshehta, në pavetëdije. Edhe ky virtyt i rizbuluar i fjalës lakuriqe do të shfrytëzohej hareshëm prej surrealistëve, dhe më pas artistëve konceptualë të viteve 1960-1970.

Vetë Google-i ndoshta ka nevojë të psikanalizohet; qoftë edhe vetëm duke u nisur nga gatishmëria me të cilën fjalët që kërkojmë plotësohen automatikisht në dritaren e kërkimit (po të shkruaj Blaise… Google-i gjithnjë më sugjeron Blaise Pascal, Blaise Alexander, Blaise Zabini…); por edhe nga fakti kurioz, të cilin e vëren Groys, se subjekti që pyet, ose përdoruesi “nuk është në gjuhë” përveçse si ofrues materiali (content provider) dhe vetë Google-i, në instancën e vendimmarrjes (algoritmet e kërkimit, hierarkia e rezultateve sipas radhës) përfaqëson një subjektivitet të fshehur, në sytë e përdoruesve, çka bëhet pastaj shkas për gjithfarë teorish konspirative.

Këtu do të shtoja edhe se për çdo kërkim që bëjmë, Google-i na përgjigjet duke na sjellë një listë rezultatesh që shpesh përmban mijëra e mijëra zëra; dhe ku vetë numri i madh shërben si një lloj censure prej pafundësisë, meqë askush prej përdoruesve nuk ka kohë t’i shoshitë të gjitha hitet; pa përmendur pastaj edhe vetë lista, si formë organizimi, ka natyrë hierarkike; pse thjesht duke qenë listë ka një fillim dhe një fund dhe fton për një mënyrë përdorimi të caktuar; pra e fut nga dritarja pikërisht atë parim disiplinimi gjuhësor që e nxorëm nga dera, qëkur vendosëm të parapëlqejmë leksikun ndaj gramatikës.

Dhe, meqë jemi në temë, një kërkim në Google për Céline më jep, si përgjigje të parë, një markë franceze veshjesh luksi dhe produktesh lëkure.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

one × 1 =