KLD, inspektori i 200 mijë eurove të pajustifikuara përplas Naçon me Presidentin

KryesorePolitike
283
0
sample-ad

Këshilli i Lartë i Drejtësisë është mbledhur për të emëruar krerët e disa gjykatave, si dhe për shpalljen e vendeve vakante për inspektorë, pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Mbledhja është drejtuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndërsa mësohet se në mbledhjen me dyer të mbyllura ka marrë pjesë edhe ministri i drejtësisë, Nasip Naço. Ky i fundit, ka bërë me dije qëndrimin e tij në lidhje me rendin e ditës së mbledhjes, rend që përbëhej nga 21 pika. Ministri Naço, ka pranuar se ka qenë edhe vetë iniciator që të futet në rendin e ditës emërimi i një sërë kryetarësh gjykatash, ndërsa ka kërkuar shqyrtimin e kërkesës për inspektorin të KLD-së, por që nuk është pranuar në rendin e ditës. Por, gjatë mbledhjes, Naço u shpreh kundër emrit të Arjan Qafës, për faktin se ndaj tij ILDKPI-ja ka gjetur një pasuri të pajustifikuar prej rreth 200 mijë eurosh. Sipas burimeve nga mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që u mbajt vetëm një ditë para konkluzioneve të komisionit hetimor ndaj dy anëtarëve të këtij Këshilli, nënkryetarit Elvis Çefa dhe anëtarit Lulzim Lelçaj, kreu i shtetit akuzoi deputetët që kërkuan shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së. Ai në fjalën e tij tha se legjislativi nuk mund të hetojë gjyqësorin, ndërsa nënvizoi se po hetohet edhe jeta private e anëtarëve të KLD-së, që për presidentin, Bujar Nishani, është një akt i papranueshëm.

Naço kundër Arjan Qafës 

Ministri i Drejtësisë kërkoi nga KLD që të hidhet poshtë kandidatura e Arjan Qafës për gjyqtarë Apeli, në kushtet kur ILDKPI-ja, ka gjetur një shumë prej 200 mijë euro të pajustifikuara nga personi në fjalë. Arjan Qafa ka mbajtur postin e inspektorit në inspektoratin e KLD-së, teksa kërkesa e ministrit për të shqyrtuar këtë rast në mbledhjet e KLD-së nuk është marrë parasysh. Në prag të nisjes së mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministri Nasip Naço u shpreh i revoltuar pasi sërish kërkesa e tij për të trajtuar rastin e inspektorit të KLDsë, për të cilin IKDKPI-ja, ka gjetur 200 mijë euro të pajustifikuara, ndërsa shtoi se ai vetë deklaron se rreth 70 mijë euro vijnë nga puna part- time si shitës e së shoqes: “Ajo që më bën përshtypje në këto 21 pika të rendit të ditës, është fakti se akoma në axhendë nuk është futur propozimi i Ministrit të Drejtësisë, i cili prej 4 muajsh kërkon shqyrtimin e kërkesës ndaj një inspektori të KLD-së, për të cilin ILDKP-ja ka gjetur një pasuri të pajustifikuar prej rreth 200 mijë dollarësh. KLD-ja fut në rend dite gjithçka që e mendon me rëndësi dhe nuk fut këtë kërkesë, që besoj se është një nga më të rëndësishmet, pasi lidhet me luftën ndaj korrupsionit. Mjafton ky fakt për të treguar që axhenda e KLD-së është një axhendë personale, dhe jo ajo që kërkojnë qytetarët shqiptarë apo axhenda që kërkon qeveria dhe partnerët ndërkombëtare. Në një kohë që kërkesa e Ministrit nuk merret në konsideratë, KLD-ja, mesa jam në dijeni, ka futur kërkesën e këtij inspektori për t’u emëruar gjyqtarë pranë një Gjykate Apeli. Unë shpresoj që të mos ja japin këtë imunitet por megjithatë gjithçka mund të ndodhë, dhe nëse ndodh, atëherë ky këshill nuk ka integritet” ka deklaruar Naço.

Nishani për hetimin e anëtarëve të KLD-së

Presidenti Nishani e ka konsideruar një praktikë të paprecedentë dhe të papranueshme shfrytëzimin e një pushteti të caktuar nga disa parlamentarë, për të hetuar deri dhe jetën private të anëtarëve të KLD-së dhe familjarëve të tyre: “Nisur nga një situatë shumë shqetësuese dhe pa e precedent që është krijuar së fundmi ku një grup deputetësh të Kuvendit në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e vendit, në shkelje të rëndë të ligjeve të vendit, kanë nisur dhe po realizojnë një hetim “quasi gjyqësor” për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Është e palejueshme nga Kushtetuta dhe nga ligjet që një pushtet, siç është pushteti legjislativ, të hetojë “quasi gjyqësisht” një pushtet tjetër, që është pushteti gjyqësor. Kjo është e paprecedentë, nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Çdo vendim dhe çdo qëndrim i KLD mund të kundërshtohet dhe mund të gjykohet vetëm nga sistemi gjyqësor dhe është Gjykata e Lartë e vendit e ngarkuar nga ligji për të hetuar dhe gjykuar vendimet e KLD-së, si një pjesë e pushtetit gjyqësor”.

Kryegjyqtarët e rinj 

Anëtarët e Këshillit me shumicë votash zgjodhën në detyrën e Kryetarit të gjykatës kandidatët, konkretisht Arben Zefi, në Gjykatën e Shkodrës, Alfred Gjoni, në Gjykatën e Kurbinit, Joana Qeleshi në Gjykatën e Durrësit, Skënder Haluci, në Gjykatën e Vlorës dhe Bib Ndreca shkon në krye të Gjykatës së Pukës.

Vendet vakante 

Pas konstatimit të mbarimit të mandatit 5-vjeçar për inspektorët Izet Salaj, Hajrie Muçmata dhe Piro Samara, do të bëhet edhe rishpallja e vendeve vakante për inspektorë pranë inspektoratit të KLD-së. U shqyrtuan kandidaturat për gjyqtarë për plotësimin e një vendi vakant në gjykatat e Apeleve Vlorë, Shkodër dhe Durrës

Inspektimi i refuzuar

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë që ditën e djeshme të fuste në rendin e ditës shqyrtimin e kërkesës për inspektimin ndaj Arjan Qafës, pasi sipas tij i druhej një emërimi të tij në një prej vendeve vakante në gjykatat e Apelit në vend. Kërkesa e ministrit është refuzuar, ndërsa Naço i ka kujtuar gjithë opinionit publik faktin se ndaj këtij personi ILDKP-ja ka gjetur një shumë prej 200 mijë eurosh të pajustifikuar.

 Votimi i gjyqtarëve 

Kalimi në rendin e ditës së emërimit të një sërë krerësh gjykatash u duk sikur vinte në prag të shkarkimit të dy anëtarëve të KLD-së, ku ditën e sotme pritet të zhvillohet edhe seanca e komisionit hetimor ndaj tyre. megjithatë ka qenë vetë ministri i Drejtësisë që ka mbështetur emërimin e krerëve të gjykatave, por duke kontestuar emërimin e Qafës, që nuk fakt ende nuk dihet nëse është shqyrtuar kandidatura e tij për vendet vakante të Apelit.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

twelve + 20 =