A po merr Kievi kurs drejt NATO-s?

Analize
281
0
sample-ad

Nga: Roman GOCHARENKO

Politika e jashtme e Ukrainës ndodhet para kthesës: Parlamenti voton të martën për ndryshimin e një ligji, me të cilin vendi i jep fund neutralitetit. Krahas përpjekjes për anëtarësim në BE, synohet edhe një anëtarësim në NATO. Projektligji ishte përgatitur nga qeveria në fund të gushtit.

Mësime nga aneksimi i Krimesë

Me këtë hap Ukraina kthehet në rrugën e devijuar në vitin 2010. Atëherë presidenti i sapozgjedhur i vendit, Viktor Janukoviç e fshiu nga ligji qëllimin e Kievit për një anëtarësim në NATO. Si parim kryesor u deklarua një “politikë e mosangazhimit në blloqe”, që përjashtonte anëtarësimin në aleanca si NATO.

Por që prej aneksimit të Krimesë janë shtuar zërat për anëtarësimin në NATO. Shumë vetë mendojnë si ish-ministri i Mbrojtjes, Jevhen Martshuk. Humbja e Krimesë është çmimi që Ukraina duhet të paguajë për neutralitetin ushtarak, tha në një intervistë Martshuk. Edhe konflikti i armatosur me separatistët në Donjeck e Luhansk, për të cilin Kievi fajëson Rusinë është një argument tjetër për anëtarësimin në NATO.

Politikë e lëkundur e Ukrainës

Në qëndrimin e saj kundrejt NATO-s, Ukraina prej dhjete vitesh ndjek një politikë të lëkundur. I pari ishte presidenti i atëhershëm, Leonid Kutshma që në vitin 2002 vendosi orientimin e Ukrainës drejt aleancës perëndimore. Por NATO i ktheu kurrizin Ukrainës dhe Rusia fqinje ushtroi presion. Moska e kritikoi këtë me argumentin se sheh një rrezik për Rusinë. Pas një takimi të presidentit rus Putin me Kutshman në vitin 2004, Kutshma ra dakord të hiqte pasazhin e një anëtarësimi në NATO nga doktrina e ushtarake ukrainase.

Por pak muaj me vonë në Ukrainë u krye “revolucioni i portokalltë”. Politikani properëndimor Viktor Jushçenko fitoi zgjedhjet presidenciale dhe mori sërish kurs drejt NATO-s. Në samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, ai u mbështet nga presidenti i atëhershëm amerikan, George Bush. Në këtë samit Bush donte t’i ofronte Ukrainës “Planin e Aksionit për Anëtarësim” (MAP), një përgatitje për anëtarët e ardhshëm. Por disa vende europiane, Gjermania, Franca ishin kundër tij. Një datë konkrete për këtë plan nuk u vendos. Kancelarja gjermane atëherë iu referua një mbështetjeje të dobët që kishte në popullsi anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës.

Për herë të parë një shumicë pro anëtarësimi në NATO

Në të vërtetë numri i atyre që mbështesin anëtarësimin në NATO prej vitesh qëndronte tek një e treta e popullsisë. Por këto kanë kaluar. Për herë të parë në historinë e Ukrainës krijohet një shumicë që mbështet NATO-n. 52% e ukrainasve do t’i thonin Po një referendumi të mundshëm për një anëtarësim në NATO, sipas një sondazhi të Institutit të Studimeve GfK Ukrainë. 19% ishin kundër. Edhe Qendra Rasumkoë në Kiev arriti në një rezultat të përafërt. Sipas sondazhit madje 54% e ukrainasve ishin pro futjes në NATO. Në prill nuk ishte e njëjta situatë, Kundërshtarë të anëtarësimit ishin 41% e popullsisë, dhe pro vetëm 36%.

Dera e NATO-s e hapur

Në zgjedhjet e parakohshme në 26 tetor temë fushate është edhe anëtarësimi në NATO. Shumica e partive shprehen pro kësaj teme. Disa parti si “Mëmëdheu” – “Batkivshtshna” e ish-kryeministres Julia Timoshenko kërkojnë një referendum të shpejtë për anëtarësimin. Ndërkohë që presidenti Poroshenko mendon se ky është një hap i hershëm. Sipas tij referendumi do ta ndante vendin.

Ende nuk shtrohet për diskutim një anëtarësim i Ukrainës, por në samitin në Wales në shtator, NATO i premtoi mbështetje Ukrainës, por nuk bëri premtime për pranimin e vendit. Megjithatë Anders Fogh Rasmussen ndërkohë i larguar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, thotë se dera e NATO-s mbetet e hapur. Aleanca i ka premtuar Ukrainës mbështetje për modernizimin e ushtrisë, por jo pranim të shpejtë. Qeveria në Kiev shpreson që deri në fund të vitit të marrë statusin e “një partneri të veçantë dhe aleatit të ngushtë të NATO-s”. Por aleanca ende nuk ka dhënë OK për këtë dëshirë të Kievit.

Rusia paralajmëron perëndimin

Rusia e ndjek me sy kritik planin për afrimin e Ukrainës me NATO-n. Neutraliteti i Ukrainës është një pjesë e rëndësishme e arkitekturës së sigurisë në Europë, tha ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në shtator. Lavrov beson se disa anëtarë të NATO-s do të përpiqen ta pranojnë me çdo kusht Ukrainën. “Ky është një rrezik serioz për stabilitetin e të gjithë Europës”, ka paralajmëruar Lavrov.

Por Kievi nuk impresionohet nga kjo retorikë. Qeveria e Kievit i referohet ligjit të ri, me të cilin nga njëra anë Ukrainës do t’i mundëshohet e ardhmja në NATO, nga ana tjetër do t’i hiqet mundësia e futjes në unionin doganor të ish-republikave sovjetike. Rusia është përpjekur më kot të joshë Ukrainën në unionin e ri ekonomik. /DW/

Facebook Comments

POST A COMMENT.

eleven + 11 =