Risitë arsimore dhe “standardizimi i mësimdhënies”

Analize
335
0
sample-ad

Nga: Pëllumb KARAMETA 

Profesore Sh. Delia, zv.dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, botoi këto ditë, te “Panorama”, shkrimin “Pse duhet standardizimi i mësimdhënies në shkollë?” Shkrimi u kushtohej përpjekjeve për arritjen e standardeve në arsim. E shqetësuar për cilësinë e formimit të nxënësve, autorja konstaton gjendjen dhe sugjeron ide për përmirësim. I bashkohem shqetësimit të saj, për ato që i konstaton si dukuri negative. Citoj: “Shumë projekte janë zbatuar nga organizata të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare për rritjen e cilësisë së mësimdhënies, që prej vitit 1991, por ata nuk kanë dhënë rezultatet e duhura për arsye se janë bërë ose në mënyrë klienteliste apo fiktive dhe për show politik, pa asnjë efekt real në mësimdhënie; nuk janë zbatuar politika për kualifikimin real të mësuesve; kualifikimi i mësuesve është kthyer në biznes, duke ndikuar ndjeshëm në cilësinë e mësimdhënies etj.” Gjej, gjithashtu, interesantë objektivat politikë arsimorë, si: “Mësuesit duhet të ndërgjegjësohen dhe të bëhen më të përgjegjshëm për domosdoshmërinë e zhvillimit të tyre profesional; duhet të vendosen sanksione ndaj mësuesve që nuk realizojnë detyrat e ngritjes profesionale dhe shkencore për një periudhë të caktuar pune; duhet të gjenden mekanizmat e matjes së rezultateve reale të nxënësve, në përputhje me arritjet e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare etj.”

Ndërkaq, nga këndi që unë i shoh gjërat, i vlerësoj të diskutueshme disa ide kyçe. Filloj me konstatimet: “Sa i përgatisim ne nxënësit të jenë të pavarur në mendimin kritik, jo për të kritikuar tjetrin, por për të shprehur lirisht mendimin e tyre? A i mësojmë ne nxënësit si të identifikojnë, tregojnë, argumentojnë, analizojnë dhe të vlerësojnë dijen që ne u japim? A u japim ne dije shkencore ku t’u vëmë në lëvizje të gjitha shqisat, energjitë, të menduarit e të vepruarit në përputhje me rezultatet e arritjes dhe pritshmëritë? etj.” Shtoj, këtu, rekomandimin që, në koncept, pajtohet sa citova më sipër: “Ne si mësues … të kemi pritshmëritë e duhura te dhënia, thithja, përtypja, shprehja dhe vlerësimi i dijeve që ne u përcjellim nxënësve tanë.” Kështu e koncepton autorja një nga problemet më themelore të pedagogjisë bashkëkohore – raportin e mësuesit me nxënësin. Sipas konceptimit të mësipërm, është mësuesi ai që i transmeton njohuritë, kurse nxënësi i merr ato pasivisht. Mjeti pedagogjik për transmetimin e njohurive nga “mësuesi – mjeshtër i gjithëdijshëm” te grupi i nxënësve të klasës, është ligjërimi. Të nxënët, kështu, është grumbullimi i pafund i njohurive nga nxënësi. Mësuesi njësohet me një enciklopedi dhe me një kontrollor të sasisë së njohurive të grumbulluara nga nxënësi. Këtë trajtim e gjen, madje, në spotet televizive të disa universiteteve private, në kumtesa të mjaft pedagogëve, deri në botime shkencore si kontribute për marrjen e titujve shkencorë (!)

Më duhet të them se, trajtimi kësisoj i këtij raporti kyç, i përcjellë prej kohësh në mjediset arsimore, sot, është në kontrast të thellë me prurjet e reja teorike, me standardet profesionale ndërkombëtare dhe me përvojat e mira që i konkretizojnë ato. Mendimi arsimor ndërkombëtar po shqyrton seriozisht çështjet rreth rolit dhe qëllimeve të arsimit, në kushtet e një bote të ndërlikuar, të ndryshueshme dhe të paqartë si asnjëherë më parë dhe po përshtat pikëpamje, gjithnjë e më të ndërlikuara, për njohjen dhe dijen. Pikëpamje që integrojnë në një të njohurit, të bërit, të qenët dhe të jetuarit së bashku. Tani, p.sh., pranohet se njohuria efektive nuk është më mendimi për “lëndën mësimore”, që mund ta nxësh dhe ta depozitosh diku, për ta përdorur më vonë, por “diçka” që bën të ndodhin gjëra. Ajo është diçka që ndërtohet bashkërisht nga ekipet e njerëzve, diçka që ndodh në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Njohuria efektive është proces, më shumë se produkt; është diçka që ndryshon, evoluon, rrjedh dhe rigjeneron veten, përherë në forma të reja. Në këtë kontekst, nxënësi është “ndërtuesi” që përpiqet t’i japë kuptim materialit ose situatës me të cilën ndërvepron, ndërsa mësuesi është organizatori i procesit të nxënies që ndihmon nxënësin në përpjekjet për të njohur. Ndryshe, ky supozim quan parësor nxënësin që njeh: ai është autor dhe aktor i njohurive të tij dhe, në bashkëpunim me të tjerët, e arrin njohjen përmes njohurive të mëparshme, përvojave vetjake dhe projekteve për njohje. Kërkimi bashkëkohor dhe përvojat tregojnë se njerëzit nuk nxënë efektivisht nga pozita e “spektatorit”, përmes marrjes pasive “të porcioneve” të dijes së parapërgatitur dhe të copëtuar në tema të njëpasnjëshme, që u ofrohen nga ekspertët, mësuesit dhe tekstet shkollore. Të nxënët efektiv kërkon përfshirje aktive të nxënësve “gjatë gjithë lojës”.

Bazuar në kuptime të tilla, sot, reforma jonë kurrikulare po jetëson gradualisht qasjen që e konsideron shkollën vendin ku fëmijët stërvitin dhe zhvillojnë “muskujt e nxënies” për të vepruar me sukses në situata. Jo vetëm që të dalin mirë në provime, por që të jenë të sigurt, të aftë, nxënës kompetentë për pjesën tjetër të jetës. Arsimi që zhvillon kompetencat tejkalon dukshëm atë që mësuesi ka bërë jetë e mot në klasë – transmetimin dhe shtuposjen e kokës së nxënësit me informacion. Për këtë, mësuesi po nxitet dhe do të ndihmohet të ndryshojë konceptet rreth zhvillimit të fëmijëve dhe pikëpamjet rreth kurrikulës, shkencës dhe artit. Reforma, që po ndërmerret, thekson zhvillimin e forcës së fëmijës për të nxënë dhe për të vepruar, pa lënë mënjanë “përmbajtjet mësimore” që do të përzgjidhen sipas kapacitetit që bartin për ndërtimin e njohurive dhe të kompetencave. Përmbajtjet e reja, në vend të erudicionit të shekujve, do të ofrojnë situata të nxëni, trajtimi i të cilave zhvillon këtë ose atë “muskul” mendor të nxënësit. Ky lloj arsimi, që vë nxënësin në qendër të nxënies, e konsideron mësuesin organizator të procesit dhe ndihmës të nxënësve. Kjo arrihet, kur mësuesit, jo vetëm i rritet rroga kur e meriton atë, por edhe kur aftësohet sistematikisht, që qasjet pedagogjike t’i bazojë në kuptimet e reja rreth dijes, mendjes dhe nxënies. Pa harruar, këtu, kërkuesit dhe profesoratin që duhet të përditësojnë me shpejtësi njohuritë dhe kompetencat e tyre profesionale, të reformojnë rrënjësisht kurrikulat, planet e punës kërkimore, veprimtaritë në auditorë, në laboratorë dhe në mjediset e veprimtarive praktike. Pas kësaj, prej mësuesve, mund të fillojmë të presim: a) ndërtimin nga nxënësit të njohurive të reja dhe të kompetencave, përmes kërkimeve të tyre reale (jo nga “ofertat e parafabrikuara” të mësuesve apo të teksteve shkollore); b) zhvillimin e mënyrave efikase për ndërtimin dhe komunikimin e kuptimeve në botën e sotme; c) shumëllojshmëritë didaktike, jo qasjet uniforme që i përgatitin të gjithë me “një kut”; e) zhvillimin e proceseve fizike, mendore dhe emocionale, jo ngulitjen e njohurive të ngurta dhe të shkathtësive të shkëputura etj. Ky është konteksti në të cilin nxënësit mund të ndërtojnë kompetencat e nevojshme për jetën (të veprojnë si duhet me njohuritë, vlerat, qëndrimet e ndërtuara) dhe të arrijnë standardet kombëtare dhe ndërkombëtare. Shqip

Facebook Comments

POST A COMMENT.

4 × 2 =