Prangoset kryepolici i Divjakës, spiunoi operacionet ndaj kazinove

Kronike
239
0
sample-ad

SHKB-ja arrestoi dje shefin e policisë së Divjakës Gjergji Çelaj, pasi dyshohet se dekonspironte aksionet e policisë për pikat e lojërave të fatit, në kuadër të operacionit “Fund Marrëzisë”, i finalizuar disa muaj më parë, por që ka vijuar edhe gjatë verës së këtij viti në Divjakë. Çelaj dyshohet se ka dekonspiruar 15 aksione të tilla, si dhe favorizonte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, kundrejt pagesave të pronarëve të këtyre bizneseve. Arrestimi i shefit e stacionit policor të Divjakës nga SHKB-ja erdhi pas vendimit të “arrestit me burg” të dhënë për të nga Gjykata e Lushnjës. Sipas burimeve Çelaj akuzohet për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “nxjerrjes së sekretit”. Ai mësohet se prej shumë kohësh është vënë në ndjekjen e hetuesve të SHKB-së punës së tij, që lidhej edhe me disa raste të dhënies së lejes për armët e gjahut. Prokuroria ka detajuar edhe provat e para që kanë të bëjnë me shkeljet e tij, ndërsa pas prangosjes mësohet se oficeri i policisë nuk ka pranuar të japë asnjë lloj shpjegimi pa praninë e avokatit të tij mbrojtës, duke u rezervuar për një moment të dytë.

Abuzimi në dy raste

Me kërkesë të Prokurorisë së Lushnjës, gjykata vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për Gjergj Çelajn 47 vjeç nga Mallakastra, me detyrë komandant i postës policore Divjakë, i akuzuar për “shpërdorim detyre”. Hetimi për këtë person nisi rreth 4 muaj më parë, pas një materiali referues nga SHKB-ja. Prokuroria e Lushnjës krijoi dyshime të arsyeshme lidhur me shpërdorimin e detyrës së këtij personi, referuar të paktën dy situatave.

Sipas deklaratës së Prokurorisë së Përgjithshme, në muajin korrik 2014, policia kufitare e Lushnjës ndaloi një automjet, në të cilin ishin dy persona që kishin dy armë gjahu pa leje. Këtë rast, policia kufitare ia kaloi për kompetencë postës policore të Divjakës. Nga hetimi ka rezultuar se, për këtë rast, komandanti i postës policore nuk ka kryer asnjë veprim procedural, pra, as nuk e ka regjistruar si material të referuar dhe, natyrisht, nuk e ka referuar as në prokurori për vijimin e ndjekjes penale për “mbajtje pa leje të armëve të gjahut”.

Rasti sipas burimeve kaloi pa u hetuar nga ai, duke bërë që edhe personat të dilnin. Së dyti, rezulton nga hetimi se Çelaj, dyshohet se dekonspironte aksionet policore kundër veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Burime nga SHKB-ja, thanë se vetë ai informonte strukturat e Antikrimit Ekonomik, si dhe të komisariatit të Lushnjës, se në zonën që ai mbulonte kishte aktivitet ilegal të lojërave të fatit ku ishin vendosur makina elektronike dhe tavolina pokeri, gjatë periudhës së verës. Ndërsa grupet e kontrollit të policisë niseshin, ai vihej në dijeni të kontrolleve që ushtronte Policia e Fierit në zonën e Divjakës për evidentimin e pikave të lojërave të fatit që operonin në mënyrë të paligjshme, ai njoftonte po vetë administratorëve të këtyre lokaleve. Nga hetimi është faktuar se zyrtari i policisë komunikonte me dy prej administratorëve të lojërave të fatit në Divjakë, të cilët më pas njoftonin edhe të tjerët për operacionet e policisë.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

seventeen − 12 =