Raporti i ke dhe përvjetori i qeverisë

Opinion
224
0
sample-ad

[vc_row][vc_column width=”1/1″][vc_single_image image=”496″ border_color=”grey” img_link_target=”_self” img_size=”medium”][/vc_column][/vc_row][vc_row][vc_column width=”1/1″][vc_column_text]Nga: Skënder Minxhozi

Sa herë që Bashkimi Europian harton një dokument ku flitet për Shqipërinë, ky mund të konsiderohet si raporti i radhës, ku Brukseli përdor të njëjtat formulime të mërzitshme e shabllone, me të njëjtat fraza pozitive, të balancuara me po aq konsiderata negative. Por nuk është tamam kështu, kësaj radhe. Raporti i progresit i këtij viti është i pari dokument që vjen pasi Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Është gjithashtu i pari raport që trajton gjendjen në Shqipërinë e qeverisjes së pas 23 qershorit.

“Shqipëria ka marrë statusin kandidat në qershor, si njohje për reformat që ka arritur. Qeveria ka demonstruar vullnet politik për reformat që kanë ndërmarrë me Bashkimin Europian. Operacione të suksesshme për luftën ndaj drogës me rezultate impresionuese, angazhim për luftën ndaj krimit të organizuar. Por jemi të shqetësuar për klimën politike, për bojkotin aktual nga opozita”, kështu e përmblodhi situatën në vendin tonë komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle. Duke shtuar se “qeveria duhet të sigurojë që opozita të ketë siguri për të performuar detyrën demokratike. Statusi kandidat ofron përgjegjësi dhe duhet të parë si detyrë së shumti. Qeveria të demonstrojë tani se mund të çojë përpara reformat, ato në spektrin ligjor, administrativ dhe kjo të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse nga ana politike”.

Në pak fraza, zyrtari i lartë europian që e njeh ndoshta më mirë se kushdo “pazarin” shqiptar të viteve të fundit, ka vizatuar identikitin e një krize që vijon ta mbajë të bllokuar klimën politike, ekonomike e sociale në Shqipëri. Bojkoti parlamentar “shqetësues” i opozitës, rritja e borxhit publik, korrupsioni, mosdënimi i zyrtarëve të lartë, reforma delikate në sistemin e drejtësisë, zgjedhjet në horizont dhe sektori de facto i falimentuar i energjisë, vijojnë të mbeten pengesa sfiduese drejt përmbushjes së kritereve të afrimit me Bashkimin Europian. Në këtë pikë, raporti është i qartë dhe duket se e shpërndan në mënyrë të drejtë fajin e përgjegjësitë mes palëve.

Në anën tjetër, ky raport është gjithashtu një notë që i vihet qeverisë “Rama” në njëvjetorin e marrjes prej saj të detyrës. Bilanci 365-ditor i ekzekutivit i ngjan pikë për pikë dritëhijeve të raportit të komisionit. Nëse një vit më parë, gjatë fushatës elektorale, do të pyetej një votues i së majtës sesi do ta vlerësonte pas një viti punën e qeverisë “Rama”, nëse ajo do të çlironte Lazaratin nga droga, nëse do të merrte statusin e vendit kandidat në BE, nëse do të kryente një reformë thelbësore në arsimin e lartë privat, nëse do të përmbyllte një tjetër reformë të rëndësishme në pushtetin lokal, apo do të kthente borxhin qindra-milionësh që shteti i kishte biznesit privat – ky votues me shumë gjasë do të thoshte se një bilanc i tillë njëvjeçar do të ishte më se i kënaqshëm.

Por nëse do të pyetej, në mënyrë gjithmonë hipotetike, sot, i njëjti votues, për vitin e parë të mandatit të Ramës në pushtet, duke i numëruar të njëjtat rezultate, është mjaft e mundur që reagimi i tij të ishte më i ftohtë dhe më i përmbajtur. Sepse njerëzit kanë tendencën t’i marrin të mirëqena standardet që gëzojnë. Ata duan gjithmonë më tepër. Një Lazarat pa kanabis quhet sot diçka normale, po aq sa ç’konsiderohej normale para një viti edhe situata e kundërt, kur fshati ishte i mbjellë i gjithi me drogë.

Qeveria duhet ta ketë parasysh këtë logjikë, të cilën e gjejmë edhe në konsideratat që jep raporti i fundit i Komisionit Europian. Vendi ka bërë progres dhe Brukseli e njeh rrugën e përshkuar. Kryeministri ka të drejtë të thotë se bojkoti i dikurshëm i opozitës kishte një kërkesë konkrete, që lidhej me hapjen e kutive e numërimin e votave, ndërsa sot në bazë të daljes së PD nga Kuvendi qëndron një shkak dukshëm më i dobët dhe periferik. Por problemi është se dy bojkotet, sado të ndryshëm mes tyre, kanë prodhuar situata të ngjashme sa i përket imazhit të vendit dhe qeveria ka barrën e ruajtjes e konsolidimit të këtij imazhi, në të gjitha rrethanat. Nga ana tjetër, përballë një opozite të mpakur, me lidership të dyzuar dhe pa vizion politik, qeveria ka luksin, por edhe barrën, që të punojë duke mos e harruar për asnjë çast se një Parlament me një krah të vetëm, është gjithsesi i mangët në vendimmarrjen e tij. Dialogu politik që kërkon sot BE nuk është një fiksion në rastin shqiptar. Nuk ka qenë kurrë i tillë. Kjo është një çështje parimore, që ka të bëjë me kredibilitetin e reformave që ndërmerr vendi dhe jetëgjatësinë e hapave që hedh demokracia shqiptare. Raporti i Komisionit Europian është mjaft i qartë në këtë pikë, edhe për një vend që tashmë nuk është më i asociuar, por kandidat.

/ JAVA /[/vc_column_text][/vc_column][/vc_row]

Facebook Comments

POST A COMMENT.

eleven − three =