Zbardhet formacioni , luhet me një sulmues

Sport
196
0
sample-ad

Vetëm dy ditë përpara ndeshjes me Danimarkën, Xhani De Biazi i ka idetë e qarta për formacionin që do të zbresë në fushën e lojës. Gjatë këtyre ditëve është përdorur skema e njëjtë 4-5-1, por me sa duket trajneri tani i ka piketuar edhe lojtarët që do të hedhë në fushën e lojës. Dilemat e vetme janë dy krahët e mesfushës, kur pritet që të aktivizohet Taulant Xhaka dhe Valdet Rama. Pjesa tjetër e skuadrës me shumë mundësi do të jetë e njëjta që luajti në Portugali.
Skema- Trajneri Xhani De Biazi do të vazhdojë t’i besojë skemës 4-5-1. Skema fituese në Portugali pritet të përdoret edhe një herë tjetër në këtë ndeshje pasi italiani i vlerëson shumë të rrezikshëm danezët. Ata luajnë shumë rrezikshëm nga krahët, por janë edhe të fortë fizikisht. Italiani kërkon që të mbrohet me forca të shumta, por edhe të sulmojë nga krahët me dy lojtarë shumë cilësorë si Taulant Xhaka dhe Valdet Rama. Numri një i kuqezinjve e tha që në konferencën për shtyp që ekipi do të analizojë ndeshjen ndaj Portugalisë për të parë gabimet dhe për t’i korrigjuar ato.

Kjo skemë e lejon trajnerin që të bëjë ndryshime edhe gjatë lojës duke kaluar në 4-2-3-1, me Kukelin dhe Abrashin përpara mbrojtjes, ndërsa Rama-Xhaka dhe Kaçe mund të mbështesin sulmuesin e vetëm që me shumë mundësi do të jetë Bekim Balaj.
Rikthehet Cana- Kapiteni Lorik Cana është rikthyer titullar dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Danimarkës. Numri pesë i kuqezinjve ka kaluar problemin që ka pasur dhe është stërvitur me grupin duke dhënë kështu sinjale të forta për prezencën e tij në fushë ndaj danezëve. Ai është një lojtar i rëndësishëm për ekipin kombëtar.
Rama titullar– Valdet Rama mund të rikthehet edhe një herë duke marrë krahun e majtë të mesfushës. Lojtari, që ka marrë mbi shpatulla numrin 10 duket se e ka fituar duelin me Lenjanin. Në Elbasan, mesfushori Rama doli nga fusha e lojës i zëvendësuar dhe duke çaluar, nuk ka asgjë të rëndë dhe do të rikthehet shumë shpejt në fushën e lojës.
Kaçe rokadë me Xhakën– I vetmi ndryshim në skemën e kombëtares shqiptare pritet të jetë rokada mes dy mesfushorëve Xhaka dhe Kaçe. Ky i fundit pritet të pozicionohet në mesfushë, ndërsa Xhaka mund të pozicionohet në krahun e djathtë për të zëvendësuar Roshin.
Balaj- Xhani De Biazi pritet t’i besojë sërish sulmuesit Bekim Balaj. Ende janë të shumta dilemat për repartin ofensiv, por me shumë mundësi Balaj do të jetë i vetëm. Në segmente të caktuara të ndeshjes mund të luhet edhe me dy sulmues sepse De Biazi provoi edhe skemën 4-4-2 në miqësoren ndaj të rinjve të Elbasanit. Salihi, Kapllani dhe Cikalleshi ishin në super formë dhe garantojnë siguri përpara portës.

 

Nga: Gentjan Alinani

Facebook Comments

POST A COMMENT.

15 − 5 =