Vetëm një eulex për drejtësinë na shpëton nga korrupsioni

AnalizeOpinion
302
0
sample-ad

Nga: Andrea Stefani 

Si këtu e 24 vjet, lidershipi i politikës shqiptare vazhdon të jetë kinse i përçarë lidhur me nevojën e një drejtësie të pavarur dhe, fshehtazi e në shumicë, i painteresuar për të. Tryeza lidhur me reformën në drejtësi, e sapothirrur nga Presidenti i Republikës, nuk bëri gjë tjetër veçse nxori edhe më në basoreliev këtë orgji prirjesh të papajtueshme, akuzash e kundërakuzash që vlojnë në kokën e politikës dhe që i vjell goja e saj sa herë bëhet fjalë që edhe në Shqipëri të instalohet një pushtet drejtësie i pavarur. Gjithçka u pa në atë tryezë, por as edhe një grimë konsensusi a bashkëndierje për reformën. Ndaj ajo shfaqet e pamundur. Foshnja e reformës është lindur e vdekur. Dhe ishte qesharake të dëgjoje edhe ndonjë ndërkombëtar që këshillonte se reforma në drejtësi duhet të zhvillohet “mbi progresin e arritur”? Si mund të thuhen të tilla gjepura “me progres” kur vetë nevoja për reformë është pohimi i kalbëzimit dhe regresit të drejtësisë?! Dhe kur vetë edhe klasa e juristëve është konformuar me këtë kalbëzim, vetëm një injektim drejtësie nga jashtë, në formën e një EULEX-i për drejtësinë apo të një hetimi dhe gjykimi ndërkombëtar të superskandaleve ku janë përfshirë kokat e politikës, mund të ngjallë drejtësinë dhe të vrasë kancerin e korrupsionit.

 

***

Mbi dy dekada pandëshkueshmëri kanë krijuar një elitë politike të pasuruar frikshëm, aq të korruptuar dhe kriminalizuar deri me lidhje mafioze, sa është naivitet, verbëri deri dhe idiotësi të shpresosh se ajo do të jetë e interesuar për drejtësi të pavarur. Një drejtësi e pavarur nuk bën dallim kush është në bankën e akuzës, ai që ka vjedhur një bukë apo lideri, presidenti, kryeministri apo ministri që ka vjedhur miliona. Jo pak nga politikanët e lartë të këtyre 20 e kusur viteve, i tremben një drejtësie të tillë si djalli temjanit. Në fakt, gjendja e kalbëzuar e drejtësisë shqiptare është prova më e qartë e konfliktit të interesit të kokës së politikës në Tiranë me drejtësinë. Troç, të shpresosh se ca nga këta politikanë do të tolerojnë drejtësinë e pavarur është të besosh se të korruptuarit dhe të kriminalizuarit do të tolerojnë drejtësinë e pavarur pra, do ia fusin vetes!

 

***

Le të flasim më konkretisht. Sali Berisha, kreu real i PD-së, nuk mund të jetë i interesuar për një prokurori që do të hetonte dhe drejtësinë që do të gjykonte shumë nga aferat korruptive ku ai dhe familjarë të tij janë përfolur si të përfshirë. Përmendim vetëm Gërdecin apo masakrën e 21 janarit. Ka dhe krime më minore, por edhe më të qarta që s’ka nevojë të faktohen se janë vetë një fakt. I tillë është dhunimi i Kushtetutës dhe ligjit nga Berisha më 21 janar, kur pengoi prokurorinë të hetojë krerët e Gardës me pretekstin (sikur të qe ai komandat i përgjithshëm dhe jo Presidenti i Republikës) se nuk e linte dot Gardën pa komandim. Krimi është i dënueshëm me burg nga Kodi Penal i Republikës dhe asnjë drejtësi e pavarur nuk do ia toleronte një krim të tillë shtetasit Sali Berisha. Pasuesi i tij formal në PD, Lulzim Basha, është i përfshirë drejtpërdrejt në aferën e dyshimtë të rrugës Durrës-Kukës, ku thuhet se janë humbur, më e pakta, rreth 200 milionë dollarë. I ka shpëtuar gjykimit me proceduralizëm ndaj nuk mund të mos gajasesh kur e dëgjon të thotë që politika nuk duhet të kapë drejtësinë, sepse kjo do të ishte shumë e rrezikshme! Ashtu?! Por a nuk është pikërisht kapja e drejtësisë gjëja që ka bërë vetë Basha me Berishën gjatë 8 viteve në pushtet? Dhe kush është rezultati më i rrezikshëm për shtetin e kësaj kapjeje? Lënia pa ndëshkuar e korrupsionit të politikanëve si Basha e Berisha, që sot na flasin për rrezikun që i vjen shtetit nga kapja e drejtësisë!

 

***

Gjendja nuk shfaqet më optimiste, për sa i përket vullnetit për drejtësi të pavarur dhe luftë kundër korrupsionit, edhe në kampin e majtë të politikës. Është e vërtetë se qeveria ka bërë një aksion spektakolar kundër drogës që flet se tentakulat e mafies nuk kanë depërtuar deri atje. Por ka pasur zëra edhe në grupin e deputetëve të majtë që janë shfaqur të pakënaqur me ministrin e Brendshëm që udhëhoqi këtë operacion. Ndërkaq, opozita po akuzon se ka deputetë të kriminalizuar të së majtës. Pavarësisht motiveve që qëndrojnë prapa akuzave të opozitës, që jam i sigurt se nuk e ha meraku për drejtësinë, sa kohë që nuk janë hedhur poshtë në mënyrë të argumentuar, nxisin dyshime për mungesën e një vullneti homogjen në radhët e shumicës, për luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe mafies me anë të një drejtësie të pavarur. Shto këtu edhe videoskandalin e dikurshëm të Ilir Metës dhe akoma më keq, mënyrën krejt të dyshimtë se si u mbyll në gjykatë ai skandal. Në fakt, vendimi i gjykatës për Metën, ishte një skandal më vete dhe një etalon i kapjes së drejtësisë nga politika.

 

***

Pra, mund të thuhet se shumica e lidershpit politik të sotëm, nuk është e interesuar për drejtësi të pavarur. Vetë mjerimi i drejtësisë provon se çfarë kanë dashur dhe duan këta “liderë” që kanë mbi dy dekada që i ngatërrohen nëpër këmbë Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke i varfëruar dhe duke pasuruar vetëm veten e tyre. Por, ndërkaq, mungon edhe një tjetër premisë e rëndësishme e pavarësimit të gjyqësorit, mungon vullneti i juristëve, prokurorëve dhe gjykatësve për pavarësi. Perceptimi publik se gjyqësori është nga pushtetet më të korruptuara, nuk është i rastit, por produkt i mungesës së dedikimit ndaj drejtësisë edhe të një pjese të konsiderueshme të gjykatësve dhe prokurorëve. Politika dhe mafia nuk do të kish mundur ta keqpërdorte drejtësinë për pandëshkueshmëri nëse një masë kritike juristësh, prokurorësh dhe gjykatësish, nuk do të kishin qenë të gatshëm të korruptoheshin dhe të bashkëpunonin duke u vënë në shërbim të politikës deri edhe mafies. Natyrisht kemi shqetësimin, si edhe zv/ambasadori amerikan, të mos i fusim të gjithë në një thes. Por, ndërkaq, nuk mund të themi me siguri se kush është jashtë thesit të korrupsionit.

 

***

Në kushtet kur vullneti politik i lidershipit për drejtësi të pavarur është mjaft i dyshimtë dhe kur edhe klasa e prokurorëve e gjykatësve nuk ka shpalosur ndonjë dedikim impresionues dhe të frytshëm për të luftuar krimin dhe korrupsionin, e vetmja mundësi që shteti të shpëtojë nga kurthi ku ka ngecur, është një shtytje nga jashtë që mund të inicionte kthesën në drejtësi. Të shpresosh se një kthesë të tillë në këto momente, mund ta bëjnë politikanët dhe juristët shqiptarë, është të besosh se mund të gatuhet bukë gruri me miell misri. Duhet jo thjesht presion nga Perëndimi dhe Europa, por një injeksion drejtësie në formën e një EULEX-i. Të paktën edhe i limituar në prokurorë specialë e gjykatës të posaçëm për ato skandale si grushti i armatosur i shtetit i 14 shtatorit 1998, korrupsioni me rrugën Durrës-Kukës, shpërthimi në Gërdec dhe trafiku i armëve i lidhur me të apo vrasjet e 21 janarit. Vetëm kështu drejtësia do të mund të largojë gjithë liderët e inkriminuar dhe të korruptuar të politikës që e kanë penguar atë në gjithë këto vite për të shpëtuar veten. Ndryshe, ata do vazhdojnë ta pengojnë drejtësinë si deri më sot. /SHQIP/

Facebook Comments

POST A COMMENT.

twelve − 1 =