Mekanizmi ndryshues në duel me atë pengues

AnalizeOpinion
408
0
sample-ad

Nga: Aleksandër Çipa

 

Një hap antibojkot nevojitet në marrëdhëniet pozitë-opozitë. Është e nevojshme për të zhvlerësuar një situatë dhe një kosto fiktive të politikës mbi vendin dhe në mënyrë të veçantë mbi gjendjen sociale e atë ekonomike. Nevojën për ikjen prej marrëdhënieve të hershme të refuzimit me shkak të pamjaftueshëm, kësaj here natyrshëm që e ka vetë qeverisja e Kryeministrit Rama. Nuk është një nevojë për shkak të numrave dhe vendimmarrjeve në legjislativ, por për arsye imazhi dhe mosrikthim të situatës së ngjashme me kohët e pikut të tranzicionit, kur kreu i PD-së, Sali Berisha, bëhej ortak i pakrahasueshëm konflikti me kundërshtarët e vetë politik të së majtës. Në këtë mënyrë, jeta e gjatë në krye të politikës së vendit e zotit Berisha bashkëjetonte me konfliktin dhe trazirën, me antagonizmin dhe sherrnajën, ndërkohë që kundërshtarët e tij, Fatos Nano, Ilir Meta, e më vonë edhe Edi Rama, edhe nëse kishin vullnetin e kundërt, bëheshin pashmangshmërisht ana tjetër e konfliktit. Një mekanizëm i tillë politik duket se po riaktualizohet ose po imponohet për t’u aplikuar në sjelljen dhe marrëdhënien pozitë-opozitë. Një mekanizëm i tillë natyrshëm që krijon më shumë mundësi për fiktivizimin e serioziteteve, qëllimeve dhe në mënyrë të qartë neutralizimin e arritjeve që lidhen me objektivin për një qeverisje ndryshe ose pretendimin ylber-kalues për rilindjen socialiste të vendit.

Në një farë mënyre, konflikti i rikthyer në Parlament, po ia del ta cenojë imazhin e qeverisjes “Rama”. Po bëhen shumë arsye të vogla që falë edhe një pune të kujdesshme prej opozitës politike, po marrin vëmendje nga jashtë dhe po fokusohen prej mediave të anshme, por sidomos falë edhe punës së pakrahasueshme të opozitës për zotërim më shumë hapësirë rrjetesh, blogjesh dhe web-esh në shqip. Beteja për propagandën e vet, po e shquan opozitën në raport me shumicën. Në brendinë e vet, vetë forca kryesore e pozitës, PS-ja ka një heshtje tinëzare. Mes saj zien pakënaqësia e pashprehur, sikundër edhe xhelozia apo inati eroziv për aleatin që ia ka marrë hisenë e madhe të pushtetit që në ditë të parë të mandatit, pa humbur fare kohë e pa pritur aspak formalizim procedural. Në nivelet bazë të PS-së, pakënaqësia e anëtarësisë po mahis një oponencë më të ashpër sesa vetë opozitarizmi. Sikundër lakmia përfituese dhe aftësia e zotërimit pa kompleks të përfaqësimit në nivele të qeverisjes prej LSI-stëve, po krijon kontrastin brenda fisit politik të qeverisësve. Ky kontrast ende nuk është bërë fjalë dite apo çështje debati të brendshëm, mirëpo koha tashmë punon për shpalljen e tij dhe jo për konservimin.

Në këtë raport, bojkoti i opozitës së pabërë të zotit Basha, i vlen vetë opozitës për një kohë përfitimi prej dobësimit të shpejtë të vetë qeverisësve. Skema e arkitekt Berishës, duket e lexueshme lehtësisht. Edhe fare pak kohë i nevojitet të fitojë apo përfitojë prej pakënaqësisë që zien ndër qeverisës. I nevojitet atij dhe pasardhësit të komanduar të tij të fitojë aleancën me armën e populizmit dhe të reagimit social. Një llogari, e cila duket qartësisht se po nguten ta vënë në lëvizje dhe në funksion opozitarët e dalë nga qeverisja e 2013-s. Në këtë rrjedhë pa sistem, aktorët e vjetër dhe të rinj të pozitë-opozitës, po ripërpiqen të formatojnë një tablo reagimesh dhe qëndrimesh politike si ajo klasikja e tranzicionit. Mirëpo tashmë janë të rrezikuar ndryshe. Kontrasti dhe tejkalimi i kohës përdoruese të këtij mekanizmi, vjen prej fqinjësisë dhe situatës politike të vendeve që kjo politikë i mbart dhe i ka si alterego të vonuar të vetes.

Klasa jonë politike kësaj here nuk e ka më komoditetin të ripërdorë alibitë apo fajësitë e njëri-tjetrit. Koha e vonesës prej tyre, nuk është më një kohë me mundësi vijimi apo me mundësi vazhdimësie. Kushti për sjellje standardi në marrëdhënie me shtetin ligjor dhe drejtësinë nuk vlen më as si justifikim demagogjik, e as si motiv justifikues për pushtet politik. Në këto kushte, shërbestaritë që i duhen kastës së ikur nga qeverisja zyrtare, nuk mund të marrin vlerën apo funksionin e një mekanizmi pengues ose zvarritës për kandidat-kastën e re në qeverisje. Arsyet janë tashmë të ditura. Sepse, askush nuk e bën dot të tërën dhe askush nuk e ripërdor shtetin dhe institucionet e tij si leva apo instrumente për të majmur modelin e ri që ngjall e shkakton inate turmash. Tejkaluesi i së drejtës në këtë terren politik me kaq dasi dhe me kaq shumë interesa të copëzuar, bëhet lehtësisht i ndëshkueshëm. Kjo mund të dëshmohet më parë në zgjedhjet e afërta vendore të vitit që po troket, 2015.

Por që të shënohet ky rezultat i pashmangshëm, ndoshta shumicës dhe veçanërisht Kryeministrit Rama i nevojitet të shumëfishojë kapacitetet që mishërojnë ndryshimin. Motoja e pashmangshme për qëndrestari dhe shquarje në kohën e mandatit të tij qeverisës lidhet me sentencën; mekanizmi ndryshues duhet të fitojë duelin me mekanizmat pengues. Nuk është thjesht metafora e pengesave që mund të hamendësohen naivisht si atribut i opozitës politike, por i shumë mekanizmave të dukshme dhe të padukshme që kanë lidhje më së shumti me skotën e qeverisësve të larguar apo me zullumtarinë e pandëshkuar qeverisëse të paraardhësve.

Në mekanizmat pengues për qeverinë e Kryeministrit Rama, së pari, përfshihet kultura antishtet që na rrënjosi ndërgjegjja jonë tranzicioniste dhe periudha e gjatë e informalitetit tranzicionist shqiptar. Në këtë mekanizëm, zë më vete apo instrument më vete është hija e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe e kapjes shumëformëshe të drejtësisë, administrimit, administratës, ligjit dhe sidomos mekanizmi i makutërisë së pafre e pa skrupuj. Ndër kësi mekanizmash është edhe kapja e politikës prej pasunarëve të paditur, por diabolikë, sikundër edhe prej politikanëve që u pasuruan si djaj të shitblerjes brenda politikës.

Falë këtyre mekanizmave dhe modeleve allashqiptare të marrjes në përdorim të tyre, kjo klasë politike e ka bërë më të huaj e më të vobektë ndërgjegjen e ndryshimit dhe të pretendimit për rilindje përmes cilësisë dhe ndryshimit. Protagonizmi i Kryeministrit Rama për ta arritur këtë, deri më tani perceptohet i pamjaftueshëm dhe në imazhin e kalorësit në rrethim.

Për këtë arsye, për energji dhe vrull që sjellin dhe mishërojnë ndryshim, Kryeministri Rama nevojitet të heqë sa më parë diçka nga tensioni informal politik si me drejtuesit e përcaktuar partiakisht të institucioneve, ashtu edhe me krerë të institucioneve kushtetuese. Nga ana tjetër, sjelljes dhe veprimit të vet qeverisës dhe vendimmarrës duhet t’i shtojë në kohë edhe aktin e pakompleks të vendimmarrjes së zgjuar politike. Beteja për drejtësinë dhe reformën në krejt sistemin e saj, nuk mund të mbartë as protagonizmin dhe as antagonizmin e tij. Kushti i ardhur nga stadi aktual i vendit dhe nga kërkesa eksplicite e vendeve të BE-së, nuk mund të bashkëshoqërohet me pohimin radikal, por të vihet në proces me përfshirje aktorësh legjitimë. Konsensusi principial me opozitën nuk mund të shmanget, është e vetmja mundësi dhe i vetmi prag nga mund të kalohet në të. Por ky konstatim nuk presupozon takimin e orëve të vona me të dërguarin e zotit Berisha e as me survejimin përmes lajmëtarëve të takimeve të lidershipit. Procesi për këtë nevojë jetike të Shqipërisë së sotme, lidhet me Shqipërinë e nesërme. Pleqëria politike e zotit Berisha mbyllet së vepruari kur i jepet pariteti dhe partneriteti i sinqertë kryeopozitarit legjitim Basha. Çdo veprim apo nënçmim, duke u bazuar me të drejtë apo të padrejtë te paragjykimi i “kryetarit të komanduar të PD-së”, natyrshëm nuk ndihmon opozitën natyrale, por penalizon së pari shumicën e majtë qeverisëse. Ky mendim bëhet pjesë e mekanizmit pengues dhe logjikshëm që vlen për të shtuar kapacitetin refuzues të mekanizmave ndryshues.

Udhëtimi politik i Kryeministrit Rama nëpër ditë dhe terren të refuzimit, akuzimit, bojkotit dhe sidomos ankimimit opozitar, është një itinerar absurd dhe me pasoja të shumta penalizimi. Këtë model, të cilin ai e pati frikë dhe e mposhti në kohën e ardhjes në krye të opozitës së dikurshme socialiste të vitit 2005, nuk ka arsye ta rikthejë në jetë në kohën kur demiurgu i tij, Sali Berisha, ka mbërritur pa dëshirën e vet, në pension politik.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

nineteen + 17 =