Home / Kryesore / 2 Prilli i Shkodrës/ Rrëfimi i rrallë i Gjek Çelajt ish-shefi i rendit në Shkodër

2 Prilli i Shkodrës/ Rrëfimi i rrallë i Gjek Çelajt ish-shefi i rendit në Shkodër

Edhe pse kanë kaluar 30 vite, ngjarja e 2 prillit në Shkodër ka ngelur ende e pazbardhur. Për ngjarjen ku u vranë katër protestues dhe u plagosën 20 policë është folur shumë. Dhe sa më shumë është diskutuar, aq më tepër janë shtuar dyshimet për një episod me prapaskena të errëta. Ish zv.drejtori i Policisë së Shkodrës, Gjek Çelaj, sot me azil politik në Kanada, vjen me një rrëfim ekskluziv për DITA në lidhje me atë ngjarje që u kthye në një gjakderdhje për të cilën zyrtarisht pati 5 të dënuar, por me një proces gjyqësor tërësisht kaotik e joprofesional.
Çelaj rrëfen të vërtetën e tij për të vërtetat e 2 prillit. A kanë patur gisht shërbimet e huaja në të. Pse për rigjykimin e saj, gjasat janë minimale dhe kush janë të interesuar që ajo të qëndrojë përgjithmonë e mbyllur.
Pyetje: Z. Çelaj! Në vitin 1991 ju keni qenë shefi i rendit në Shkodër kur ka ndodhur ngjarja e 2 prillit. Tani që ka kaluar kaq kohë, a e kujtoni dhe si e kujtoni atë ngjarje?
Gjek Celaj: Patjetër që e kujtoj, sikur të kishte ndodhur para disa ditësh. E ruaj në kujtesë, sa për shkak të pasojave tragjike që ndodhën atë ditë, aq edhe për shkak të pasojave që rrodhën prej saj më vonë dhe që ranë mbi disa njerëz të pafajshëm.
Pyetje: Çfarë mendoni se ishte ajo ngjarje dhe a mund të parandalohej?
Përgjigje: E thënë me pak fjalë, ajo ishte një artific politik kriminal, e sajuar teorikisht s’dihet saktë se ku dhe e vënë në jetë në Shkodër nga ata që nuk pajtoheshin dhe nuk pajtohen ende me asnjë proces zgjedhor, përveç atyre që i sjellin apo i mbajnë në pushtet. Pra, ngjarja vetë ishte një mjet antidemokratik, djallëzor dhe kriminal për t’iu kundërvënë vullnetit popullor shqiptar në një moment të caktuar historik dhe politik dhe, me marifete prapaskenike, të dhunshme dhe terrorizuese, të veshur me propagandë ndjellëse “demokratike”, të realizonin atë që nuk iu sollën votimet popullore.
Sa i përket parandalimit të saj, unë besoj fort edhe sot se kjo varej tërësisht nga ata që e sajuan dhe e vunë në skenë. Nëse nuk “shkruhej” drama diku dhe nuk sillej për t’u vënë në skenë në teatrin politik shqiptar, sigurisht që ngjarja në fjalë dhe as pasojat e saj nuk do të kishin ndodhur. Ata që e sajuan, së bashku me aktorët e etur për protagonizëm dhe pushtet, nuk kishin planifikuar thjesht një protestë apo demonstrim, pasi të tilla kishte pasur me dhjetëra më herët, por kishin menduar dhe synuar një të tillë që të sillte pasoja si ato që erdhën apo, ka shumë të ngjarë, disa herë më të mëdha. Ajo që ishte vendosur me vullnetin e lirë popullor mund të përmbysej vetëm me akte tragjike, të zhurmshme dhe mashtruese, duke shkaktuar tronditje të gjendjes emocionale popullore nëpërmjet akuzimit të kundërshtarit politik për veprimet që kryen vetë në prapaskenë, duke hedhur gurin dhe fshehur dorën. Atëherë ne nuk i dinim shumë gjëra dhe e konsideruam protestën thjesht si një “zemërim” dhe manipulim rastësor të kategorive të caktuara shoqërore. Ato çfarë kemi mësuar më vonë dhe sjelljet dhe qëndrimet e disa prej protagonistëve të ngjarjes, pas ngjarjes, na qartësojnë mjaft gjëra. Ata të huaj që, shumë kohë pas ngjarjes, shpreheshin nëpër kafenetë e Perëndimit se “Po të mos kishim organizuar ngjarjen e 2 prillit, komunistët nuk do të largoheshin nga pushteti”, dhe ushtarët e tyre vendas që ditën e ngjarjes na pohuan se protestuesit “s’janë tanët, nuk na dëgjojnë prandaj zbatoni ligjin dhe shpërndajini me forcë”, por më vonë e shpallën protestën si “luftë kundër diktaturës” dhe vrasjen e katër protestuesve si akt kriminal i diktaturës, i kryer nga policia në bashkëpunim me pushtetin politik në fuqi, sigurisht që në skenarin e tyre i kishin parashikuar vrasjet, i kishin dëshiruar dhe ishin përpjekur që ato të ndodhnin.
Pyetje: Pra, ju besoni se në ngjarje kishin dorë edhe të huajt dhe politikanë vendas, dhe kush mund të ishin ata?
Përgjigje: Ata të huaj që në vitin 1945 iu dërgonin fjalë kriminelëve të luftës, të fshehur nëpër shpella apo të grumbulluar në Shkodër, që “Merrni Shkodrën sepse ne do të ndërhyjmë për tri ditë”, në vitin 1991 vunë në lëvizje kontigjentin e tyre, të përbërë nga spiunë të shërbimeve të huaja apo thjesht njerëz të etur për pushtet me çdo mjet e mënyrë, të cilët ishin të gatshëm të bënin çkado që besonin se mund t’i sillte në pushtet.
Pyetje: A keni menduar ndonjëherë pse një ngjarje e tillë ndodhi në Shkodër dhe jo diku tjetër?
Përgjigje: Sigurisht që ka disa arsye pse ndodhi në Shkodër. Në 31 mars 1991 Shkodra i kishte të gjitha arsyet për të votuar në shumicë kundër partisë në pushtet, por në datat 1 dhe 2 prill 1991 Shkodra nuk kishte asnjë arsye politike, ligjore, faktike dhe as morale të protestonte kundër zgjedhjeve të para pluraliste. Në Shkodër opozita kishte marrë rreth 70 përqind të votave, çka do të thoshte se në këtë masë do ishte edhe numri i deputetëve të saj që do zinin vend në Parlament. Procesi zgjedhor, ashtu si në gjithë Shqipërinë, kishte kaluar pa asnjë problem. Nuk mund të pranohet nga asnjë mendje normale dhe nga asnjë arsye e shëndoshë, përveç mendjeve djallëzore dhe arsyes së banditëve politikë, që në Shkodër të protestohej pse kishte humbur PD-ja në Fier, Skrapar etj. ndërsa anëtarët dhe simpatizantët e saj në rrethet ku kishin humbur ta kalonin humbjen me qetësi dhe në mënyrë të arsyeshme, pa protesta dhe pa dhunë.
Mirëpo Shkodra ishte zgjedhur nga skenaristët për dy arsye: E para, sepse përqindja e popullsisë që ishte konfliktuar me regjimin e mëparshëm dhe e kishte pësuar prej tij ishte, ndoshta, më e lartë se gjetkë. E dyta, sepse në Shkodër ndodhej kontigjenti më i madh i njerëzve të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, sidomos atyre fqinje. Ky kontigjent ishte i gatshëm të përdorej dhe keqpërdorej në çdo kohë nga padronët e vet.
Pyetje: Pak a shumë, del se organizimin e ngjarjes e kishte bërë PD-ja dhe opozita shqiptare që humbi zgjedhjet në kuadrin e gjithë vendit?
Përgjigje: Kur flasim për PD-në duhet të kemi parasysh se ajo ishte një parti e madhe me dhjetëra mijëra anëtarë dhe, si e tillë, nuk mund të akuzohet për ngjarjen. Madje, as sot, mbi 99 përqind e anëtarëve të PD-së nuk e dinë çfarë ka ndodhur në 2 prill në Shkodër. Ata kanë dëgjuar propagandën dhe mashtrimet e drejtuesve partiakë dhe, me fanatizëm dhe mendjelehtësi i pranojnë ato si të vërteta të pakontestueshme. Ngjarjen e 2 prillit, dhe disa të tjera në vitet e mëvonshme, i kanë vënë në skenë një grup kriminal në kupolën e asaj partie. Këtë nuk e them thjesht unë por e kanë pohuar ata vetë me krenari disa vite më pas. Gjithë sjellja dhe veprimtaria tridhjetëvjeçare e kësaj klike kriminale e dëshmon qartë mentalitetin dhe moralin që kanë.
Pyetje: Ju, vetë si polici, a kishit ndonjë shkak të mbanit qëndrime kundër PD-së në atë kohë?
Përgjigje: Duke filluar nga data 12 dhjetor 1990, PD ishte një parti po aq e ligjshme sa çdo forcë tjetër politike dhe, si e tillë, kishte të njëjtat të drejta në zhvillimin e veprimtarive të saj politike, por kishte edhe të njëjtat detyrime ndaj ligjit dhe rendit si të gjithë qytetarët dhe forcat e tjera politike. Policia as ka pasur dhe as duhet të ketë asnjë paragjykim apo keqqëndrim ndaj individëve apo organizatave të ligjshme, politike ose jo politike. Ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mira me drejtuesit e PD-së në Shkodër, i kemi pritur në zyrat tona me kafe kur vinin të kërkonin leje për grumbullime apo demonstrime politike. Unë kam pasur thuajse gjysmën e të afëmve, miqve apo shokëve të mi me PD-në. Qënia e tyre me PD-në nuk i bënte ata as më të mirë dhe as më të këqinj. Daja im, së bashku me dy djemt e tij, i manipuluar si pjesa tjetër e popullsisë, ka marrë pjesë në protestën e paligjshme të 2 prillit. Partia Demokratike, ashtu si partitë e tjera, ka pasur dhe ka njerëz me dinjitet dhe të përgjegjshëm, të cilët janë kundër dhunës, kaosit dhe shkeljes së normave demokratike në kuadrin e pluralizmit politik. Disa prej drejtuesve të seksioneve të saj në Shkodër, ma kanë pohuar qysh në datat 1 dhe 2 prill se “Me këto rrëmuja, partia jonë s’e ka filluar fare mirë…”. Ndërsa në gjyqin tonë, në dhjetor 1992, njëri prej tyre u paraqit si dëshmitar dhe pohoi se “Në mëngjesin e 2 prillit kam vajtur tek selia e PD-së në Shkodër dhe iu kam thënë Pjetër Arbnorit dhe Ali Spahisë: Çfarë bëhet kështu? Mos i nxirrni njerëzit në protesta! Kështu e ka demokracia, një herë fiton njëri dhe një herë tjetri. Ata më panë me mospërfillje dhe më thanë të shihja punën time sepse ato punë i dinin ata më mirë”.
Konfrontimi i policisë me PD-në filloi kur drejtuesit e saj u konfrontuan me ligjin, filluan bashkëpunimin me llumin e shoqërisë dhe përdorimin e këtij llumi për destabilizimin e rendit publik, për dhunë dhe akte kriminale. Cila polici në botë nuk iu kundërvihet këtyre akteve? Për çfarë shërben dhe paguhet policia, në fund të fundit, nëse nuk vepron me të gjitha mjetet ligjore për rivendosjen e rendit?
Në datën 13 dhjetor 1990, një ditë pas lejimit të pluralizmit dhe miratimit të krijimit të PD-së, Shkodra u dogj dhe bastis nga lumpeni, nga njerëz që e kishin kaluar një pjesë të jetës së tyre në burgje si vjedhës, grabitës, përdhunues apo vrasës. Ne e konsideruam këtë akt si diçka spontane por, disa vjet më vonë, drejtuesit e PD-së së Shkodrës u mburrën në shtyp për rolin që kishin luajtur në organizimin e saj. Në 3 janar 1991, pas mitingut të ligjshëm që PD organizoi në Sheshin “Isa Boletini”, një grup prej rreth një mijë protestuesish mësynë komisariatin e policisë dhe tentuan të hynin me dhunë brenda tij. Ndërsa në datën 2 prill 1991, thirrjes tonë për ndihmë për largimin e protestuesve nga sheshi, Arbnori dhe Spahia iu përgjigjën duke thënë: Ata s’janë tanët dhe as nuk na binden prandaj ju jeni organet e rendit dhe zbatoni ligjin…”. Pas përfundimit të ngjarjes dolën me deklarata bombastike duke pretenduar se policia i kishte vrarë katër protestues për motive politike, për të goditur opozitën dhe të tjera përralla horro-politike. Ata arritën deri aty sa “zbulimin” e fajtorëve dhe burgosjen e tyre ta vinin si kusht për të marrë pjesë në Parlament dhe, më vonë, si kusht për zgjedhje të parakohshme. Deklaratat dhe sjelljet e tyre e dëshmonin qartë që ata nuk kërkonin zbulimin dhe ndëshkimin e fajtorëve realë por të “fajtorëve” të paracaktuar prej tyre, domethënë të “fajtorëve” të paracaktuar në skenar përpara se të ndodhte ngjarja.
Pyetje: PD-ja erdhi menjëherë në pushtet dhe, me sa dihet deri tani nuk është zbuluar e vërteta rreth ngjarjes.
Përgjigje: E vërteta rreth një ngjarjeje kriminale nuk iu intereson pikërisht atyre që e kanë sajuar dhe që kanë qenë aktorë të saj. Për t’ju treguar rolin në ngjarje dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës, po ju sjell pak fakte domethënës. Kur ndodhte konfrontimi midis policisë së ngarkuar nga ligji me detyrën e rivendosjes së rendit dhe mbrojtjes së institucioneve dhe një grupi protestuesish të dhunshëm dhe të paligjshëm, në spitalin kryesor të qytetit ndodheshin mjeku Ali Spahia, më vonë nënkryetar dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, dhe nja dy mjekë të tjerë, aktivistë të asaj partie. Edhe infermieri më i thjeshtë, e jo më mjekët, e di se kur në spital paraqiten viktima apo vdesin njerëz të sjellë aty si të plagosur, të vdekurit vendosen në morg për arsye ekspertimi mjeko-ligjor, si pjesë e proceseve hetimore e gjyqësore.
Spahia, dhe jo vetëm, i pritën viktimat në spital dhe nuk i vendosën në morg, por ua dhanë familjarëve duke u bërë pengesë për autopsitë si veprime mjeko-ligjore. Veprimi më domethënës është fakti se viktimën e parë, as e vendosën në morg dhe as ua dhanë të afërmve, por instruktuan disa protestues që shoqëruan viktimën në spital, ta fusnin në një makinë tip “Zuk” dhe ta sillnin në sheshin ku vazhdonte konfrontimi dhe, madje, të tentonin futjen e kufomës në institucionin që ruhej me roje të armatosur dhe që kishte rreth një orë që sulmohej me lëndë djegëse dhe dinamit nga një bërthamë kriminale që vepronte brenda turmës. Nuk do shumë mend për të kuptuar se një veprim i tillë synonte egërsimin e turmës, ashpërsimin e konfliktit dhe, rrjedhimisht, shtimin e pasojave. Gjatë procesit të hetimit dhe, po ashtu, edhe atij të gjykimit, Spahia dhe disa spahinj të tjerë bënë çmos të pengonin pyetjen e protestuesve rreth faktit nëse kishin vajtur vetë apo i kishte organizuar dikush për protestën e paligjshme dhe të dhunshme. Është e çuditshme, por edhe kuptimplotë fakti se drojen dhe pengesën për zbulimin e organizatorëve po i shfaqnin ata eksponentë politikë që, kur po fillonte demonstrimi me nxënës shkollash që parakalonin në rresht dhe me mësues në krye, na pohonin mua dhe shefit të policisë se “protestuesit nuk janë tanët dhe s’kanë asnjë lidhje me ne”. E vërteta është se zbulimi i organizatorëve të protestave të dhunshme, të paligjshme dhe me pasoja tragjike, si ajo e 2 prillit, çon në zbulimin e qëllimeve dhe, pastaj, në zbulimin e mjeteve për arritjen e qëllimit.
Kur ish-shefi i policisë, Dilaver Papare ndodhej i burgosur në burgun e Sarandës, një i dënuar ordiner nga veriu i pohon atij në mirëbesim se kishte dijeni për dy persona që kishin marrë pjesë në protestë, duke qenë të armatosur, dhe kishin qëlluar me armë kundër protestuesve. Meqenëse i dha edhe emrat e dy personave, Papare njoftoi drejtuesit e burgut dhe kërkoi të bënte kallëzim në prokurori. Në vend që të fillonte një hetim, ku të pyeteshin me hollësi Papare dhe, sidomos, personi që kishte rrëfyer fakte domethënës që mund të çonin tek ekzekutorët, autoritetet shtetërore i izoluan në qeli Paparen dhe personin tjetër dhe, këtë të fundit, e transferuan shpejt në një burg larg Sarandës. Shtetit nuk i interesonte asnjë version tjetër i ngjarjes përveç gënjeshtrave me të cilat ua kishte paraqitur atë shqiptarëve.

Check Also

Ndoshta është mirë të kesh një mendje të bukur, por dhurata më e madhe është kur zbulon një zemër të bukur!

Nga Robert MARTIKO- John Nash, matematikan i famshëm amerikan, i nderuar me çmimin “Nobel”, konsiderohet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

15 + 1 =