Home / Aktualitet / 100 vjetori i Luftës së Vlorës/ Presidenti Meta vlerëson tetë figura patriotike të krahinës së Tepelenës

100 vjetori i Luftës së Vlorës/ Presidenti Meta vlerëson tetë figura patriotike të krahinës së Tepelenës

Në kuadër të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë pune në Bashkinë e Tepelenës, ku vlerësoi tetë atdhetarë të spikatur të kësaj krahine, me kontribut të shquar në mbrojtjen e interesave kombëtare, Pavarësisë dhe tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, të dalluar për guximin e trimërinë në organizimin dhe drejtimin e luftës kundër pushtuesve italianë në vitin 1920.

Fillimisht, Kreu i Shtetit, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së  Tepelenës z.Tërmet Peçi, Prefekt i Qarkut, z. Astrit Aliaj, Kryetarja e Këshillit të Qarkut, znj.Lindita Rova, autoritetet vendore dhe dhjetëra qytetarë, vendosi një kurore me lule në bustin e Heroit të Popullit, Selam Musai dhe u përul me respekt e mirënjohje  para veprës dhe jetës së Tij.

Në një ceremoni solemne, të zhvilluar në portën e Kalasë së Ali Pashë Tepelenës, nga ku 100 vite më parë  u nisën luftëtarët e disa prej Çetave Çlirimtare, drejt Vlorës, Presidenti Meta, pasi vlerësoi rëndësinë e madhe të kësaj ngjarjeje historike dhe vlerat e mëdha patriotike të luftëtarëve, simbole të heroizmit dhe qëndrueshmërisë shqiptare, nderoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Selam Musai (pas vdekjes).

Me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” u vlerësuan Brahim Selimi (pas vdekjes) dhe Hasan Xhiku (pas vdekjes).
Ndërsa  “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Kreu i Shtetit çmoi Kapo Topullin (pas vdekjes), Veli Hashorva (pas vdekjes) dhe Shezai Çomo (pas vdekjes).

Gjithashtu, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Presidenti Meta nderoi Asim Mero (pas vdekjes) dhe Novruz Bello (pas vdekjes).

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë solemne të organizuar me këtë rast, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Vëllezër e motra të Tepelenës dhe Gjirokastrës

Ju përshëndes dhe falënderoj për mikpritjen e ngrohtë!

Jam i lumtur sot që jemi bashkë këtu në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës, në këtë vend besëlidhjesh për liri të burrave të shquar të Labërisë!

Tepelena e bukurive të rrepta të mahnit me historinë e saj të lavdishme dhe të tërheq me bujarinë, mençurinë, virtytet e arrira dhe vlerat shpirtërore të qytetarëve të saj.

100 vite më parë pikërisht në këtë vend ku jemi sot luftëtarët e çetave të Tepelenës dhe Gjirokastrës lidhën besën për t’u bashkuar për çlirimin Vlorës nga okupatorët italianë!

Pasi çliruan Tepelenën me armët e tyre dhe këngë në gojë ata u nisën në betejën më të lavdishme që shqiptarët kanë shkruar në historinë tyre.

Gjirokastër  Tepelenë

Besa –  besë, bënë benë

Ndihmë Vlorës do t’i venë

Malet, brigjet dhe  kodrat e Tepelenës,  Salarisë,  Kurveleshit, Lopësit, Gjirokastrës,  Toskërisë  dhe gjithë Labërisë janë dëshmitarë të luftërave dhe heroizmit të shqiptarëve në betejat më të rëndësishme të mbijetesës së kombit tonë ndaj fateve të historisë.

Tepelena ishte një nga pikat e rëndësishme strategjike të pushtuesve italianë. Këtu ishin përqendruar trupa këmbësorie, karabinierie, reparte artilerie, mitraloza të rëndë dhe armë të tjera speciale.

Përballë kësaj fortese të përgatitur për një luftë të gjatë u zhvilluan përpjekje mjaft të përgjakshme.

Në këto përpjekje morën pjesë çetat, që përbëheshin nga qyteti i Tepelenës, nga krahina e Kurveleshit të Sipërm dhe nga rrethet Përmet, Skrapar, Gjirokastër. Numri i luftëtarëve vullnetare që rrethuan kështjellën e Tepelenës, ishte rreth 1.000 veta.

Pas përpjekjeve të shumta në 21 qershor 1920 Tepelena u mor nga patriotët dhe luftëtarët shqiptarë.

Ishte gjëmimi i topave të 16 majit 1920 nga kalaja e Tepelenës, që njoftoi botën për këtë sulm.

Gazeta “Drita” do të shkruante atëhere  në gjuhët shqip dhe  frëngjisht vullnetin e luftëtarëve:

“Shqiptarët që nuk i janë përkulur Romës dhe Turqisë, nuk mund të tolerojnë shtypjen e huaj, në shekullin në të cilin u ngjallën edhe kombet e vdekura”

Gazeta i drejtonte banorëve thirrjet:

Hesapet në Vlorë !

Në llogoret e Vlorës !

Në fushën e Vlorës së shenjtë !

Luftëtarët shqiptarë i kujtuan gjeneralit Italian Piaçentini, se ka ikur koha e gjeneralit romak Paul Emil, i cili 2.000 vjet më parë dogji 70 qytete ilire, e mes tyre edhe Antigonenë.

“Piaçentin, i thanë. Sa të rrojnë trimat e Shqipërisë, karabinierët e tu s’kanë vend as në Tepelenë, as  në Vlorë, e as në Shqipëri!”

Festimet për 100-vjetorin e Luftës së Vlorës  nuk do të ishin të plota pa ardhur në Tepelenë, për tu përkulur në shenjë nderimi dhe mirënjohje para kujtimit të Luftëtarëve trima të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Përmetit këtyre krahinave të lavdishme që i dhanë nder dhe jetë çështjes kombëtare!

Historia e Shqipërisë nuk mund të harrojë kurrë Selam Musain, Dule Dalanin, Riza Runën, Musa Buzën, Resmi Latifin, Ibrahim e Kalo Selimin, Sheme Halilin, Jaho Sinanin, që ishin komandatë të çetave në gjithë Tepelenën.

Gjithashtu nuk mund të harrohen bijtë shqiptarë dhe kontributi i Bandës së Vatrës ardhur nga Amerika me 200 trupa ushtarake kombëtare, ku bashkë me 700 forca vullnetare nisën luftën për çlirimin e Tepelenës nga 17 maji deri më 21 qershor të 1920-ës.

E gjithë kjo luftë nuk mund të kuptohet pa degën e  Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare e përbërë nga Baba Ahmet Turani,  Arshi Shehu, Dervish Seit Gusmari,  Haxhi Shehu,  Rakip Duka, Shaqo Llapi, Dervish Xhaferi,  Qazim Nikaj,  Sheh Beqir Bënça,  Sheh Beqir Toçi,  Sheh Ali Hormova,

Të cilët përmes mësueseve që nxisnin frymën atdhetare si Heroi i Popullit Avni Rustemi, Gani Abazi,  Shuko Dalipi,  Sali Nivica, Qazim Hitaj,  Shefqet Sadullai me shumë mundim dhe sakrifica të mëdha vulosën fatin e trojeve tona në Luftën Kombëtare të Vlorës.

Të dashur tepelenas,

Pata nderin të përkulem sërish sot para bustit të  Selam Musait, legjendës dhe personifikimit të shpirtit luftarak te popullit të Tepelenës e gjithë Labërisë, imazhi i paharruar i luftës kombëtarë të Vlorës.

Ç’u shkule nga Drashovica

Lule more Selam, lule

Me treqind e ca komita

Bëre poshtë nga Babica

Posi dielli me çika,

Xheneralë e mori frika,

Ja zure topin nga gryka

Të dashur miq e të ftuar,

Fitorja e Luftës së Vlorës nuk ishte kalkuluar në kancelari apo akademi të mëdha  ushtarake.

Ajo është gatuar në shpirtin liridashës së shqiptarit, në vetëdijen dhe krenarinë e tij për identitetin traditat dhe trojet ku lindi dhe u rrit.

Komiteti i mbrojtjes Kombëtare që e udhëhoqi këtë luftë diti me mençuri, pjekuri dhe atdhedashuri të vendoste në lëvizje mekanizmin e vetëmbrojtjes kombëtare të çdo shqiptari, çete fshati apo krahine.

Figura më e rëndësishme e Luftës së Vlorës edhe pse anonim është Luftëtari kombëtar shqiptar, i cili la arrën, bagëtinë e punët e tij dhe rroku pushkën për lirinë e këtyre trojeve.

Më vjen mirë që sot në shumë familje atdhetare  nga krahinat e Labërisë, Vlorës, Tepelenës, Mallakastrës, Skraparit, Gjirokastrës, kujtojnë me krenari të parët e tyre luftëtarë në Epopenë e Vlorës.

Ndofta nisur nga kjo ndjenjë e përligjur do të duhet në të ardhmen që emrat e gjithë luftëtarëve të Vlorës të shkruhen me germa të arta ne basorelievin e një monumenti historik.

Të dashur vëllezër dhe motra,

Ne do të deshëm sot të vlerësonim të gjithë emër për emër por në pamundësi historianët kanë veçuar në mënyrë simbolike këtë radhë komandantët e çetave të cilët nuk janë dekoruar më parë.

Kështu sot kam nderin dhe privilegjin e veçantë të dekoroj atdhetarët:

Selam Musai- Me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Brahim Selimi- Dekorata “ Nder i Kombit”

Hasan Xhiku- Dekorata “Nderi i Kombit”

Kapo Topulli- Dekorata e Artë e Shqiponjës

Veli Hashorva- Dekorata e Artë e Shqiponjës

Shezai Çomo- Dekorata e Artë e Shqiponjës

Asim Mero- Kalorës i Urdhërit të Flamurit

Novruz Bello- Kalorës i Urdhërit të Flamurit

Te dashur pjesemarres

Duke vlerësuar këta bij të shquar të Nënës ne i bëjmë nder veprës së tyre dhe Kombit!

Por nderimi më i madh që mund ti bëjmë kujtimit të tyre është që të gjithë bashkë të lartësojmë vendin tonë përpara sfidave të kohës dhe të ardhmes

Ta bëjmë atdheun tonë të dashur më të jetueshëm dhe frymëzues për qytetarët tanë dhe brezat që do të vijnë.

Ju falënderoj edhe njëherë për mikpritjen,

Lavdi heronjve të Luftës së Vlorës,

Qofshin te paharruar ne breza e nder shekuj

Shumë urime dhe lumturi në familjet tuaj,

Rroftë Shqipëria

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tepelenës Tërmet Peci dhe këngëtari i njohur i muzikës popullore labe Goliku.

Check Also

Sot, shira me stuhi në disa zona të vendit, ja sa do të jenë temperaturat

27 Shtator 2020 – Do të kemi përmirësim të përkohshëm të motit, pra do të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

16 − ten =